Maqedonia është shembull në të gjithë rajonin për harmoninë mes kulturave dhe kjo është arritur përmes marrëveshjes së Ohrit, marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe marrëveshjes me Bullgarinë, por nuk mund ta mohojmë sepse kemi pasur rreziqe, sidomos pas këtyre ngjarjeve madhore nga politikanë të papërgjegjshëm të cilët kanë nxitur provokime mes popullatës duke shfrytëzuar ndjeshmërinë e situatës, tha në fjalimin e tij në Bruksel, para anëtarëve të Komisionit për punë të jashtme të Parlamentit Evropian, ministri i jashtëm, Bujar Osmani.
Ai gjithashtu tha se përpara e kemi shansin e papërsëritshëm për të përforcuar misionin e përbashkët drejt BE-së dhe për këtë vendi ka dy mundësi – drejt Evropës për më shumë integrime deri në anëtarësimin e plotë në BE, ose kthim prapa drejt ndasive dhe humbjes së kohës.
“Jemi të gatshëm për të arritur konsensusin midis partive politike për fushat kyçe të reformave dhe agjendës evropiane dhe për të përforcuar bashkëpunimin me Komisionin për çështje evropiane dhe Këshillin Kombëtar për eurointegrime si forum për zhvillimin e debatit konstruktiv për BE-reformat dhe negociatat aderuese. Ne kemi vetëm dy mundësi përpara vetes ose ta shfrytëzojmë shansin e madh për t’u anëtarësuar në BE, apo të mbesim pas duke thelluar hendeqet mes komuniteteve te ndryshme.”, – deklaroi ministri i punëve të jashtme, Bujar Osmani.
Ministri Osmani dërgoi edhe një mesazh për Sofjen zyrtare, duke thënë se obligimet e Marrëveshjes nga dy protokollet nuk janë harruar, se personalisht mbikëqyr grupet e punës për realizimin e tyre.
“Kërkojmë kushte për zhvillimin e dialogut konstruktiv të bazuar në respektin e ndërsjellë edhe nga ana e Bullgarisë. Besoj se së shpejti me formimin e qeverisë në Sofje do ta arrijmë këtë. Ndërkohë edhe ne si shtet përpiqemi maksimalisht që t’i realizojmë obligimet që kemi nënshkruar me Bullgarinë.”, – theksoi ministri i punëve të jashtme, Bujar Osmani.
Votimi i projekt-rezolutës për Maqedoninë e Veriut për vitin 2022 në Komision është parashikuar në fund të majit, kurse miratimi në seancë plenare të Parlamentit Evropian pritet kah mesi i qershorit të këtij viti.