Dërgimi i ambasadorëve, respektivisht i shefave të Përfaqësive Diplomatiko-Konsullore të Maqedonisë së Veriut është i rregulluar me Ligjin e Punëve të Jashtme, i cili parasheh procedurë komplekse për emërimin e ambasadorit, në bazë të harmonizimit nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Presidenti, miratimit nga Qeveria, si dhe agrementit nga shteti i pritjes.
Bëhet fjalë për proces kompleks në të cilin rol ka edhe Kuvendi, përmes prezantimit të veçantë të propozim – ambasadorëve para Komisionit për Politikë të Jashtme; ky është një element thelbësor nga procedura përmes së cilës jo vetëm që deputetët kanë mundësi t’i pyesin ambasadorët e propozuar, por këto seanca janë publike, kështu që edhe publiku i gjerë ka mundësinë që drejtpërdrejt të njihet se kush do ta përfaqësojë shtetin jashtë vendit.
Deri në përfundimin e kësaj procedure (marrjes së agrementit), këto të dhëna janë konfidenciale, prandaj ekziston arsye e mirë. Spekulimet publike të VMRO-DPMNE-së me informacione nga seanca e mbyllur jo vetëm që paraqesin shkelje të rëndë të Ligjit, por paraqesin edhe skandal diplomatik, me të cilin minohen pozitat shtetërore, duke i shkaktuar dëm të pariparueshëm reputacionit ndërkombëtar të vendit.
Spekulimi dhe shpallja e emrave të propozimeve, përpara marrjes së agrementit nga vendi pritës, kërcënon rolin e vetë ambasadorëve edhe para se të dërgohen, dhe i vendos në një pozitë shumë të pakëndshme institucionet e vendit pritës, procesi i miratimit të të cilëve tani është i kontaminuar me spekulime nga VMRO-DPMNE.
Në drejtim të njejtë, i bëjmë thirrje VMRO-DPMNE-së për sjellje të përgjegjshme, në përputhje me kodet dhe rregulloret diplomatike dhe respektimin e parimeve të Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike dhe Konsullore. Duke pasur parasysh që në radhët e kësaj partie është edhe kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme, ajo që presin qytetarët dhe publiku i diplomasisë është që plotësisht të vihet në funksion ky mekanizëm nga procesi si mënyra më e mirë që të sigurohet shqyrtim publik mbi procesin.