Dokumentet sekrete të Pentagonit rrezikojnë të kthehen në mollë sherri mes Serbisë dhe Rusisë.
Njëri prej tyre, të cilin e ka parë agjencia e njohur e lajmeve Reuters, duket se tregon që Serbia, vendi i vetëm në Europë që refuzoi të sanksiononte Rusinë për pushtimin e Ukrainës, ka pranuar ndërkohë të furnizojë me armë Kievin ose i ka dërguar atje ndërkohë. Dokumenti, që është një përmbledhje e përgjigjeve të qeverive evropiane ndaj kërkesave të Ukrainës për trajnime ushtarake dhe “ndihma vdekjeprurëse” ose armë, ishte në mesin e dhjetëra fileve të klasifikuara që janë publikuar në internet këto javët e fundit, në atë që mund të jetë rrjedhja më serioze e sekreteve amerikane në vite.
“I titulluar “Europa, përgjigja ndaj konfliktit që po vazhdon Rusi-Ukrainë”, dokumenti i paraqitur në formë grafiku, rendit “qëndrimet” e 38 qeverive europiane në përgjigje të kërkesave të Ukrainës për ndihmë ushtarake. Ai tregon se Serbia ka refuzuar të ofrojë trajnim për forcat ushtarake ukrainase, por është zotuar të dërgojë në vendin e pushtuar ndihmë vdekjeprurëse ose i ka nisur sakaq furnizimet”, thotë Reuters.