Në ditën e fundit për nominime për formimin e grupit të punës, tashmë janë të ditur pjesa më e madhe e pjesëmarrësve të këtij turpi. BDI-në do ta përfaqësojë koordinatori i grupit të deputetëve, Arbër Ademi, Aleanca për Shqiptarët nominoi Remzi Mehmedin, deputet i kësaj partie i cili para pak kohësh erdhi në vendin e Syrija Rashidit. LSDM-në do ta përfaqësojë sekretarja e përgjithshme e Kuvendit, Cvetanka Ivanova.
“LSDM nominoi Cvetanka Ivanovën për përfaqësuese në grupin e punës për ndryshime të Kushtetutës. LSDM në mënyrë aktive do të marrë pjesë në trupin e ekspertëve që e formon Ministria e drejtësisë. Bëhet fjalë për proces shtet-krijues, përgjegjës nga i cili varet anëtarësimi në BE, si interes më i lartë nacional dhe shtetërorë”, tha Darko Kaevski, LSDM.
Vetëm BESA konfirmoi pjesëmarrjen e saj nga opozita, por tani ende nuk ka informacione kë kanë nominuar. Partitë tjera opozitare refuzuan të marrin pjesë në këtë trup punues. Tashmë është e ditur se VMRO-DPNME nuk do të marrë pjesë, ndërsa në kumtesën e sotme thonë se ndryshime kushtetuese nuk do të ketë.
“Ndryshime kushtetuese në këtë përbërje të Kuvendit nuk do të ketë. Qëndrimi i VMRO-DPMNE-së është decid dhe i njëjti nuk do të ndryshohet. Ndryshime kushtetuese nuk mund të miratohen pa konsensus të popullit maqedonas, ndërsa konsensus nuk ka”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Edhe nga Alternativa u shprehën se nuk do të marrin pjesë, ndërsa të njëjtën gjë e konfirmuan nga Lidhja demokratike e Pavle Trajanovit, Partia socialiste dhe Levica. Edhe eksperti, akademiku Vllado Kambovski e refuzoi pjesëmarrjen, duke kërkuar konsensus të të gjitha partive politike. Pjesëmarrjen e saj ende nuk e ka konfirmuar profesoresha Renata Deskoska. Ditë më parë, presidenti Stevo Pendarovski si anëtar i grupit të punës, e propozoi këshilltarin e kabinetit, profesori Aleksandar Spasov. Pjesëmarrjen e tyre si ekspertë e konfirmuan Margarita Caca Nikollovska dhe profesori Jeton Shasivari. Sipas Shasivarit, do të ishte ideale në këtë proces të marrin pjesë të gjitha partitë, ndërsa po pret që opozita të jetë konstruktive në debatin e Kuvendit.
“Situata është e tillë që, ja, pjesë e opozitës nuk do të marrë pjesë në këtë fazë. Megjithatë, subjektet e opozitës parlamentare janë pjesë e Kuvendit kështu që gjatë debatit përfundimtar pas këtyre ndryshimeve kushtetuese, do të thotë gjatë debatit kuvendor, në suazë të këtij debati kuvendor, do të kontribuojnë për miratimin e zgjidhjeve më të mira”, tha Jeton Shasivari, profesor.
Nga Ministria e drejtësisë thonë se nesër do të dalin me qëndrimin përfundimtar të grupit të punës për ndryshimet kushtetuese, për shkak se siç thanë, afati për emërimet skadon sot në mesnatë.