Në kazermën “Ilinden” në Shkup sot me fillim në ora 11:00, do të mbahet ceremoni për shënimin e përvjetorit të tretë nga anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO. Janë paralajmëruar fjalime të kryeministrit Dimitar Kovaçevski, ministres së Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska dhe kryeshefit të Shtatmadhorisë së Armatës gjeneral-nënkolonelit Vasko Gjurçinovski. Pjesë e ceremonisë do të jenë disa ushtrime dhe aktivitete demonstruese të Armatës, duke përfshirë një fluturim të avionëve aleatë në kuadër të misionit “Air Policing”.
Paraprakisht, në organizim të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Klubin e deputetëve do të mbahet “mëngjesi tradicional i NATO-s”, me pjesëmarrje të trupit diplomatik, aktivitet me të cilin fillojnë Ditët e NATO-s në vend, që do të zhvillohen deri më 4 prill.
Nga MPJ theksojnë se ngjarja mbahet në tre vjetorin e anëtarësimit tonë në NATO, që theksojnë, është veçanërisht e rëndësishme për sigurinë rajonale dhe stabilitetin, veçanërisht në kontekst të sfidave aktuale të sigurisë. Në atë ngjarje do të mbajnë fjalim kryeministri Dimitar Kovaçevski, ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, si dhe ambasadorja e Ukrainës Larisa Dir. Më 27 mars të vitit 2020, Maqedonia e Veriut u bë vendi i 30 anëtar i NATO-s. Angazhimi për integrimin euroatlantik daton që nga viti 1993, kur Kuvendi miratoi një Rezolutë që përcaktonte prioritetet e jashtme politike të vendit, përkatësisht anëtarësimin në NATO dhe BE.
Në Samitin e NATO-s në Bruksel, 11-12 korrik të vitit 2018 – Këshilli Veriatlantik, në takimin në nivel të shefave të shteteve dhe qeverive, mori vendim ta ftojë Republikën e Maqedonisë së Veriut për t’i filluar bisedimet inkuadruese për anëtarësim në Aleancë. Më 1 gusht të vitit 2018, Sekretari i përgjithshëm i NATO-s dërgoi letër te ministri i punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut së bashku me Planin për zbatimin e procesit të inkuadrimit në NATO.
Advertisements
Në mënyrë që procesi i anëtarësimit të vendit në NATO të zhvillohet pa ndërprerë, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, më 11 shkurt të vitit 2020, njëzëri ratifikoi Traktatin e Atlantikut të Veriut, ku më 20 mars të vitit 2020, vijoi edhe nënshkrimi i instrumentit për ratifikimin e Protokollit inkuadrues në NATO nga ana e presidentit të Republikës. Më 27 mars të vitit 2020, përmes Ambasadës së Republikës së Maqedonisë së Veriut në Uashington, në departamentin e shtetit në SHBA u depozitua instrumenti për inkuadrim drejt Traktatit të Atlantikut të Veriut me të cilin Republika e Maqedonisë së Veriut u bë zyrtarisht shteti i tridhjetë anëtar i Aleancës.