Sofia Ognenova, një paciente tashmë e ndjerë që ishte në dializë nga mosha 20 vjeçe, ishte e vetmja në vend që hemodializën e bënte në shtëpi. Kur ndërroi jetë në moshën 62 vjeçare, familja vendosi që aparatin e lëvizshëm t’ia dhurojë Spitalit për Nefrologji në Strugë.
“Sofia ishte gjithçka për ne. Ajo na mësoi shumë për jetën, ishte shumë e gëzuar dhe na mbështeti në shumë situata. Ajo filloi me hemodializën në kushte private, në shtëpi falë njerëzve humanë që i dhuruan një aparat të tillë dhe pas vdekjes së saj vendosëm që këtë aparat të ri t’ia dhurojmë kësaj qendre si kujtim të saj por edhe për të ndihmuar shumë pacientë në nevojë”, tha familjari Bojan Grupçev.
Doktoresha Vangjelka Kovaçeska-Shavreska tha se aparati mbart me vete një histori jete unike dhe të papërsëritshme.
“Kjo nuk është një aparat i zakonshëm i hemodializës, është aparati i pacientes Sofia Ognenova, e vetmja paciente në vend që ka bërë hemodializë në shtëpi, paciente në dializë plot 40 vite. Kjo pajisje mbart me vete një histori unike dhe të paharrueshme, është rruga e jetës së Sofia Ognenovës” tha Vangjelka Kovaçeska-Shavreska, mjeke e nefrologjisë.
Në përvjetorin e vdekjes së Ognenovës, stafi mjekësor e vuri në funksion aparatin, duke shënuar edhe Ditën Botërore të Veshkave. Drejtori i spitalit, Aleksandar Poposki, thotë se aparati mund të përdoret për të ndihmuar në kushte të fatkeqësisë elementare, por edhe në çdo rast kur kanë nevojë kategoritë e rrezikuara.
“Një aparat i këtillë do të thotë shumë për ne, aq më tepër që motoja e sivjetme të Ditës Botërore të Veshkave është përgatitja për fatkeqësitë natyrore, fatkeqësitë si tërmetet, luftërat, përmbytjet dhe ndihma e kategorive vulnerabile. Kjo pajisje e veçantë mund të ndizet kudo, në çdo vend edhe në natyrë”, tha Dr. Aleksandar Poposki, drejtor i Spitalit për nefrologji – Strugë.
Sofia Ognenova ishte në dializë për 40 vjet. Stafi i Nefrologjisë në Strugë e kujton si një grua të guximshme me shumë optimizëm, shpirt luftarak dhe këmbëngulje. Sofia që në fillimet e sëmundjes filloi të mbante një ditar dhe në vitin 2010 botoi librin e saj “Dializa – një zero për mua” si një udhërrëfyes për pacientët por edhe një mesazh për të mos u dorëzuar kurrë.