Zëvendëskryeministri i Qeverisë, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, foli në konferencën “Nëpërmjet digjitalizimit drejt një gjenerate të re të bashkëpunimit rajonal”, e cila në Shkup mblodhi së bashku udhëheqësit e drejtorive doganore nga rajoni dhe organizatat partnere ndërkombëtare, përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Doganave, Kunio Mikuria.
Zëvendëskryeministri Bytyqi në fjalimin e tij ndau qëndrimet e tij lidhur me “Projektin për lehtësimin e tregtisë dhe transportit në Ballkanin Perëndimor”, i cili përbëhet nga tre komponentë dhe koordinohet nga kabineti i tij, me ç’rast tha se do të mundësojë përmirësimin e cilësisë dhe të efektivitetin në ofrimin e shërbimeve të bashkëpunëtorëve të tij.
“Përshpejtimi i lëvizjes ndërkufitare të mallrave është jashtëzakonisht i rëndësishëm për të arritur qëllimin tonë, duke lehtësuar jetën e përditshme të kompanive tona dhe qytetarëve tanë. Përmes zbatimit të plotë të këtij komponenti, ne do të mund të thjeshtojmë procedurën e kalimit të kufirit, duke minimizuar kohën e kaluar në pritje në kufi dhe do të reduktojmë ndjeshëm numrin e dokumenteve të nevojshme për përpunimin dhe administrimin e shërbimeve doganore”, tha Bytyqi.
Zëvendëskryeministri shtoi se komponenti i dytë i projektit gjithashtu do të përmirësojë efikasitetin dhe parashikueshmërinë e transportit, pasi do të na lejojë të ndërtojmë dhe instalojmë “Sistemin inteligjent të transportit” më gjithëpërfshirës në autostradën më të përdorur të vendit tonë, Korridorin 10.
“Kjo është harmonizuar plotësisht me Strategjinë tonë kombëtare për sistemet inteligjente të transportit të miratuar në vitin 2022 dhe do të kontrollohet plotësisht nga Qendra kombëtare e kontrollit të trafikut me seli në Petrovec”, tha Bytyqi në fjalimin e tij.
Zëvendëskryeministri sqaroi se përmes zbatimit të komponentit të tretë të projektit, Qeveria pret të arrijë qasje më të madhe në shërbime, por edhe të forcojë investimet rajonale, përmes zbatimit të të gjitha protokolleve të nevojshme të CEFTA-s, duke u harmonizuar me të gjitha iniciativat dhe rregulloret rajonale.
“Me këtë, kompanitë tona dhe qytetarët tanë do të trajtohen në mënyrë të barabartë me ata nga i gjithë rajoni ynë. Vendi ynë ka bërë një hap të madh përpara në krijimin e një mjedisi biznesi më konkurrues. Qeveria jonë, në fillim të vitit 2022, së bashku me harmonizimin shtesë me tarifën doganore të BE-së, uli dhe në disa raste i hoqi plotësisht tarifat doganore për 258 etiketa tarifore”, tha zëvendëskryeministri Bytyqi.
Në fund të fjalimit të tij, zëvendëskryeministri Bytyqi iu referua raportit të fundit të Komisionit Evropian për autoritetet tona doganore, ku Maqedonia e Veriut vlerësohet me një nivel të mirë përgatitjeje, me progres të vazhdueshëm pothuajse çdo vit në fushën e konsolidimi, aplikimit dhe përmirësimit të sistemit IT.
“Është evidentuar se administrata jonë doganore ka promovuar në mënyrë plotësuese konceptin e operatorëve ekonomikë të autorizuar (OEO), dhe është theksuar veçanërisht zbatimi i një procedure të plotë pa letra gjatë përpunimit të deklaratave doganore dhe dokumenteve të akcizës.”- tha Bytyqi.