Shkupi mbrëmë u tronditë nga një sulm me armë zjarri, nga i cili mbetën dy të vrarë dhe një i lënduar. Rasti ndodhi në këtë lokal afër Kalasë së Shkupit.
Nga MPB bëjnë të ditur se vrasësit kanë qenë 5 persona, të veshur me të zezë dhe me maska në fytyrë.
“Më datë 06.03.2023 në ora 20:11 në SPB-Shkup është raportuar se në një objekt hoteliere në rrugën “Samoillova” në Shkup, pesë persona të veshur me rroba të zeza me maska, me armë zjarri kanë shtënë në drejtim të J.K. (37) dhe E.I. (28), të cilët kanë ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, si dhe A.T.(34) nga Shkupi, i cili ka pësuar lëndime trupore dhe është transportuar në Spitalin “Shën Naumi i Ohrit” për dhënie të ndihmës mjekësore”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Pas vrasjes, dorasit kanë ikur në drejtim të panjohur. Nga Prokuroria thonë se janë siguruar video incizime nga objekti ku janë vrarë dy shkupjanët, por edhe nga objektet për rreth dhe kamerat e qytetit.
“Me urdhër të prokurorit ndaj trupave të të ndjerëve do të bëhet autopsi. Të gjitha gjurmët dhe provat materiale të siguruara dhe të mbledhura nga vendngjarja në objektin hotelierik ku ndodhi ngjarja janë dorëzuar për ekspertizë. Janë siguruar pamje nga video survejimi i vetë objektit, i ambienteve përreth, si dhe i sistemit “Qytet i sigurt”, të cilat do të kontrollohen në detaje. Prokurori publik ka lëshuar urdhër për intervistim me të lënduarin dhe me disa persona të tjerë të cilët kanë qenë të pranishëm në objekt gjatë ngjarjes, si dhe me persona të tjerë që mund të kenë dijeni për ngjarjen”, thonë nga Prokuroria.
Pak më vonë në Orizare të Epërme të Shkupit është gjetur një makinë e djegur.
Ekipi i TV21 sot ishte atje teksa shihet veturë e djegur e tipit “Audi A6”, e cila dyshohet se është shfrytëzuar nga personat që kryen vrasjen. Nga Prokuroria thonë se kontrolli në këtë lokacion në të Shkupit po vazhdon.