Eurodeputeti holandez Thijs Reuten kritikoi disa vendime të Bashkimit Evropian (BE) ndaj Serbisë, të cilat i referohen një granti prej 600 milionë euro për atë vend si dhe një paketë ndihme financiare prej 2.2 miliardë eurosh.
Ai kërkoi nga Komisioni Evropian shpjegim për ato veprime, siç tha ai, “duke e ditur se presidenti serb Aleksandar Vuçiq e përdor BE-në si bankomat personal”.
“Më 28 shkurt, Komisioneri Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim i dorëzoi Serbisë një paketë të mbështetjes financiare në vlerë prej 2.2 miliardë euro, nga të cilat 600 milionë euro janë grante. Ky është granti më i madh i BE-së në historinë e Serbisë. Në fjalimin e tij, komisioneri e quajti Serbinë, e cila po bëhet gjithnjë e më autoritare, një ‘mik’ në konferencën për shtyp dhe vetë ditën ‘të jashtëzakonshme dhe shumë simbolike’”, tha Reuten në një letër drejtuar Komisionit Evropian.