Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati e ka cilësuar një hap përpara në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, takimin që Albin Kurti zhvilloi dje në Bruksel në Aleksandër Vuçiçin.
Në emisionin “Now” në Euronews Albania, Bushati u shpreh se plani evropian ka disa elementë mjaft pozitivë për Kosovën, ku përmendet reciprociteti, pranimi i integritetit dhe dhe sovranitetit territorial të Kosovës, por edhe për pandryshueshmërinë e kufijve.
“Mendoj që është një hap përpara në një proces të gjatë dhe sfidues që ka lidhje me normalizmin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ne jemi njohur vetëm me tekstin e planit evropian, por ende nuk dimë detajet që duhet të përbajë aneksi i këtij plani dhe mekanizmi i implementimit.
Plani ka disa elementë mjaft pozitivë, sepse për herë të parë flitet për reciprocitetin, pranohet integriteti dhe sovraniteti territorial i Kosovës, për pandryshueshmërinë e kufijve. Natyrisht, njohja e pasaportës kosovare, njohja e simboleve të Kosovës janë elementë që flasin për një njohje implicite”, theksoi ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u pajtuan të hënën në Bruksel për ta çuar para procesin e dialogut përmes pranimit të propozimit të Bashkimit Evropian, ndonëse i njëjti nuk u nënshkrua nga të dy liderët.
Propozimi, i cili edhe u bë publik për herë të parë të hënën, përmban gjithsej 11 nene. Pos marrëveshjes bazë, propozimi përmban edhe planin e zbatimit.
Takimi i radhës i Nivelit të Lartë është paraparë të zhvillohet më 18 mars në Shkup të Maqedonisë së Veriut. Ndërmjetësues do të jetë Komisioneri Evropian për Politikë të Jashtme i BE-së, Josep Borrell. Ai pritet të zhvillojë vizitë në rajon, me ç’rast do t’ua kushtojë një pjesë të kohës liderëve të Kosovës dhe Serbisë. /Reporteri.net/.