Njoftimi mbi mundësinë që kompanive private do t’u ndërpriten subvencionet për energjinë elektrike erdhi nga drejtuesit e Qeverisë maqedonase, pasi ato nuk ulen çmimet e produkteve ushqimore edhe pse ishin ndihmuar me shuma të majme nga Ministria e Ekonomisë.
Rreth 250 kompani për muajt dhjetor, janar dhe shkurt kanë paguar vetëm se gjysmën e faturës së energjisë elektrike, shumë tjetër prej rreth 2 milion euro është mbuluar nga shteti, me kusht që të mos rrisin çmimet.
Por, sipas të dhënave të entit të statistikës, çmimet jo vetëm që nuk janë ulur por kanë shënuar rritje të madhe, në veçanti buka, mielli, qumështi, mishi, prodhimet e mishit, vaji, sheqeri e kështu me radhë.
Një bukë prej 500 gramëve para luftës në Ukrainë shitej me 27 denarë, apo rreth 0.50 centë ndërsa tani e njëjta peshon 400 gramë dhe shitet me rreth 50 denarë apo afër 1 euro.
“Sipas të dhënave paraprake, 60 apo 70 për qind e kompanive nuk e kanë respektuar vendimin për uljen e çmimeve. Ato kanë vazhduar të mbajnë çmimet që ishin në muajin nëntor, para se të hyjë në fuqi vendimi për subvencionimin e energjisë. Prandaj Ministria e Ekonomisë do ti propozojë Qeverisë heqjen e kësaj mase”, ka deklaruar Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Organizata e konsumatorëve thotë se sjellja e kompanive ishte jo korrekte dhe në dëm të qytetarëve andaj kërkon që jo vetëm të ndalen subvencionet, por edhe të kthehen mjetet që i kanë marrë.
“Atyre duhet tu kërkohet që t’i kthejnë të gjitha paratë që kanë marrë nga shteti dhe të njëjta të vihen në dispozicion të qytetarëve, apo ato para të përdoren për subvencione për energjinë e gjelbër”, thotë Marijana Llonçar, kryetare e Organizatës së Konsumatorëve.
Ajo thotë se kompanitë jo vetëm që kanë ngritur çmimet por kanë ulur peshën e produkteve duke bërë fitime të dyfishta në dëm të qytetarëve, të cilët edhe kanë paraqitur, sipas saj, qindra anketa në adresë të organizatës që drejton.
Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë së Veriut, thonë se masa mund të merren ndaj kompanive që kanë shkelur marrëveshjen, por jo edhe ndaj atyre që e kanë respektuar të njëjtën.
“Ato kompani që sipas marrëveshjes nuk i kanë ulur çmimet duhet të kalojnë në tregun e lirë dhe tu hiqen subvencionet, por për ato që e kanë respektuar atë masa duhet të vazhdojë. Secila kompani do të bëjë analizën e saj të brendshme, nuk do të paragjykoja vendimet e tyre, por mund të ndodhë të ketë rritje të çmimeve të produkteve ushqimore”, tha Goran Georgievski, nënkryetar i Lidhjes së Sindikatave./REL