Kryeministri Dimitar Kovaçevski ka dërguar propozim në Kuvend për shkarkimin e ministrave nga Alternativa, konfirmojnë nga Kuvendi dhe Qeveria.
Në propozim, Kovaçevski kërkon shkarkimin e të gjithë ministrave të Gashit, përfshirë Xhemail Çupin që drejton Diasporën, por nuk propozon pasardhës për të. Sipas informacioneve të TV 24, ai vend do të mbetet bosh. Nuk ka informacione nëse kjo do të thotë se Kovaçevski po i lë dyert e hapura Gashit apo disa deputetëve të tij që ta përkrahin Qeverinë, pavarësisht qëndrimit të partisë.
I vetmi zyrtar i Gashit për të cilin Kovaçevski nuk kërkon shkarkim dhe do të mbetet është zëvendësministri për Kulturë, pasi sipas informacioneve pas tij qëndron i pavaruri Skender Rexhepi Zeid, votën e të cilit po e numëron qeveria.
Sa i përket ministrave dhe deputetëve me rotacion nga LSDM dhe BDI, plani është që të shkojnë me dorëheqje. Disa prej tyre tashmë janë dorëzuar në Kuvend.
Seanca për shkarkimin e ministrave nuk ka kufi dhe secila debatohet veçmas.