Nisma qytetare “Më mirë për Tetovën” (MMPT) do të hapë pikë grumbullim për mbledhje të ndihmave për të prekurit nga tërmeti në Turqi, transmeton Portalb.mk.
“Lidhur me situatën e krijuar në Turqi, me qëllim të solidarizimit me të prekurit nga tërmeti, për ata që kanë dëshirë të kontribuojnë me donacione të ilustruara në fotografinë e bashkangjitur, ju informojmë se Më mirë për Tetovën do të hap pikë grumbullimi në zyrat e saj me adresë: Rruga K. J. Pitu nr. 78, Tetovë (në afërsi të Xhamisë së Sahatit), çdo ditë nga ora 18:00 – 21:00”, informuan nga MMPT.

Lokacionin e pikës ku do të mblidhen ndihmat mund ta gjeni duke klikuar KËTU.
Ndërkaq dje, në mbledhje të jashtëzakonshme, Këshilli Komunal i Tetovës me shumicë votash (29) miratoi të ndahet ndihmë financiare prej 1 milion denarësh për popullin turk dhe sirian si pasojë e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti. Në seancë u miratua edhe vendimi për formimin e Komisionit për përcjelljen e procedurës për grumbullimin dhe dorëzimin e ndihmës për vendet e përfshira nga tërmeti, ku do formohen pika grumbullimi, ku qytetarët sipas vullnetit dhe mundësive do mund të ndihmojnë. Së shpejti pritet të hapet edhe një xhirollogari e veçantë, ku qytetarët të cilët kanë mundësi mund të ndihmojnë me mjete financiare.
Përndryshe, Komuna e Tetovës dhe Njësia Territoriale Kundër Zjarrit në shenjë solidarizimi dhe mbështetjeje ka dërguar një grup prej 9 zjarrfikësish të specializuar dhe të licencuar për fatkeqësi natyrore drejt Turqisë.
Ndihmë kanë ndarë edhe komuna të tjera nga vendi si dhe Qeveria.
Turqia ka rishikuar sërish numrin e të vdekurve nga tërmeti, me autoritetet tani që thonë se 6.957 persona kanë humbur jetën. Me 2.470 vdekjet e përfshira në Siri, numri i përgjithshëm i viktimave nga tërmeti i së hënës ka arritur në 9.42. Tërmeti prej 7.8 ballësh, dy vendet i goditi në orët e para të mëngjesit të 6 shkurtit. Epiqendra e tërmetit ishte rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep, tha Shërbimi Gjeologjik amerikan.