Anketa telefonike “Detektor” e realizuar në bashkëpunim me Institutin për Hulumtime Politike – Shkup (IPIS) tregon se maqedonasit dhe shqiptarët në vend kanë pikëpamje të ndryshme se kush është fajtori për luftën në Ukrainë.
Për shqiptarët etnikë, Rusia është përgjegjëse për konfliktin, shumica e maqedonasve e shohin fajin për luftën tek dikush tjetër, përcjell INA.
Anketa tregon se 56,8 për qind e të anketuarve shqiptarë besojnë se Rusia është përgjegjëse për luftën, e cila po vazhdon për gati një vit të tërë, ndërsa vetëm 10,9 për qind e maqedonasve thonë të njëjtën gjë, se fajin e ka Moska.
4.5 për qind e maqedonasve e konsiderojnë Ukrainën përgjegjëse për luftën. Tek shqiptarët kjo përqindje është më e lartë – 10.5 për qind thonë se fajin e ka Ukraina. Ka dallim të madh edhe në përgjigjen se fajin e ka “dikush tjetër” – kështu kanë thënë 40,8 për qind maqedonas dhe 10,2 për qind shqiptarë.
Dallimi vërehet edhe në pyetjen se kë mbështesin në luftë – 47 për qind e shqiptarëve të pyetur mbështesin Ukrainën, dhe 41,1 për qind e tyre nuk mbështesin askënd. Në mesin e maqedonasve, tabloja është e ndryshme – 27 për qind mbështesin Rusinë, dhe 18 për qind mbështesin Ukrainën. Anketa telefonike është realizuar në periudhën 23-26 dhjetor dhe në të kanë marrë pjesë 1119 të anketuar. (INA)