Zv.kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut i ngarkuar për çështje ekonomike, koordinim të resorëve ekonomikë dhe investime, Fatmir Bytyqi, prezantoi në konferencë për media pagesat për ndihmën shtetërore për vitin 2022.
Siç theksoi zv.kryeministri Bytyqi, sipas planit për rritje ekonomike të përcaktuar në vitin 2017, këtë vit janë mbështetur gjithsej 645 kompani.
“Këtë vit, si mbështetje e përgjithshme financiare shtetërore në bazë të Ligjit për Mbështetjen Financiare të Investimeve dhe Ligjit për Kontrollin e Ndihmës Shtetërore është paguar shumë rekord prej 45 milionë eurosh. Kemi fshirë dallimet ndërmjet kompanive vendase dhe të huaja. Sot të gjitha kompanitë që operojnë në vendin tonë janë tonat, kompani vendase, me të njëjtat kushte dhe mundësi për të marrë mbështetje nga shteti”, tha Bytyqi.
Ai shpjegoi se sipas Ligjit për Mbështetjen Financiare të Investimeve, në vitin 2022 janë nënshkruar 277 kontrata të reja, duke theksuar se ky është deri tani numri më i madh i kontratave të nënshkruara gjatë një viti.
Në përputhje me këtë ligj janë mbështetur gjithsej 410 kompani që kanë përfituar gjithsej 23 milionë euro. Këto kompani kanë realizuar investime prej 100 milionë eurosh, kanë hapur 2.000 vende të reja pune dhe kanë punësuar gjithsej 27.431 punëtorë.
Bytyqi tha se me ndryshimet e bëra në Ligjin për Mbështetjen Financiare të Investimeve, kompanitë stimulohen të investojnë në rajonet më pak të zhvilluara, duke shtuar se kjo masë po jep rezultate.
Ai po ashtu theksoi se këtë vit janë mbështetur 15 kompani me gjithsej 1,9 milion euro për investime në kërkim dhe zhvillim.
Përveç Ligjit për Mbështetjen Financiare të Investimeve, kompanitë ndihmohen edhe përmes Ligjit për Kontrollin e Ndihmës Shtetërore, ku është e përfshirë edhe Drejtoria për Zonat Zhvillimore Teknologjike-Industriale.
Sipas këtij ligji, ndihma shtetërore prej 22 milionë euro u është paguar 23 kompanive për investime të realizuara në vlerë prej mbi 93 milionë euro.