Vaksinimi kundër gripit sivjet shënoi rekord në vend. Mbi 57 mijë qytetarë deri më tani janë imunizuar me vaksinën katër-valente për tu mbrojtur nga viroza stinore. Nga Instituti i Shëndetit Publik thonë se përmes platformës Termini Im, në këtë numër përfshihen kategoritë e qytetarëve me të rrezikuar, të cilët kanë përparësi pa pagesë të vaksinohen. Në këtë grup bëjnë pjesë të moshuarit mbi 65 vjet, të sëmurët kronikë, gratë shtatzëna, fëmijët nga 6 muaj deri në 5 vjeç si dhe personeli mjekësor. Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik thotë se frika nga kovidi bëri që të shtojë interesimin për vaksinim kundër gripit, kurse vaksinat anti kovid rrallë kush që po i merr.
“Trendi i rritjes është kryesisht nga vetëdijesimi i njerëzve nga pandemia e kovidit, njerëzit kanë kaluar sëmundjen me simptome të rënda, një pjesë e madhe nuk kanë arritur ti rezistojnë gjendjes klinike, kështu që në nivel vendi kemi 9 mijë raste të vdekjes si pasojë e kovidit deri tani. Kryesisht mbi moshën 65 vjet që janë të prekur me sëmundje kornoike”, tha Shaban Mehmeti, Drejtor i ISHP-së.
Përderisa qytetarët tanë sivjet arritën nivelin më të lartë të vaksinimit kundër gripit, nga ana tjetër vaksina më pak e preferuar mbetet ajo anti-kovid. Nga Ministria e Shëndetësisë raportojnë për numër shumë të ulët të interesimit për vaksinim, sa që pikat e vaksinimit prej kohësh po funksionojnë vetëm me një turn. Shifrat flasin se më së paku merret doza e parë, kurse booster dozat i marrin të njëjtit.
“Gjithsej janë të vaksinuar 1,904,506 qytetarë, prej tyre si komplet të imunizuar me dy doza llogaritet të jenë 869,763 shtetas, prej tyre 8535 me dozë të katër. Imuniteti kolektiv është arritur, por virusi Korona akoma është prezent dhe rekomandohet ripërtëritja e imunitetit përmes vaksinimit”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.