Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, znj. Angela Aggeler sot ka pritur në një takim zv/kryeministrin e parë të Maqedonisë së Veriut, Artan Grubin.
“Sot isha mysafir i ambasadores së re të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, znj. Angela Aggeler, të cilës i urova rikthimin në vendin tonë dhe mision të suksesshëm diplomatik.
Mbështetja e SHBA-ve ka qenë kruciale në ndërtimin e një shoqërie demokratike mbi parimet e paqes dhe barazisë nëpërmjet të mbështetjes për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, për integrimin në NATO dhe për avancimin e rrugëtimit tonë të integrimit në Bashkimin Europian.
Diskutuam për rëndësinë e madhe të vazhdimësisë progresive të punës për ardhmërinë e shëndoshë të vendit dhe nevojën për unitet veprues proeuropian nga i gjithë faktori politik në vend për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, realizimin e procesit të reformave, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe realizimin e vetingut gjithëpërfshirës për politikanë, gjykatës dhe prokurorë” ka shkruar Grubi.