Drejtori ekzekutiv i Forumit Ballkanik, Astrit Istrefi, në një intervistë për CIVIL Media thotë se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të punojnë së bashku dhe të zbusin efektet e krizës energjetike.
Ai shton se axhenda e Forumit Ballkanik, përveç mbulimit të politikave problematike të jashtme, e vendos theksin në ndërtimin e urave mes shoqërive që dikur kanë qenë në konflikt ose janë ende peng të papërgjegjshmërisë së politikanëve.
“Vendet duhet të punojnë së bashku jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe më gjerësisht me Evropën dhe globalisht për të zbutur efektet e krizës energjetike”, thotë Astrit Istrefi.
Istrefi shtoi se që nga fillimi i iniciativës së Forumit Ballkanik është përkrahur edukimi i mirë dhe zhvillimi i shoqërive, për të parandaluar të ashtuquajturin “ikje të trurit” jashtë vendit, por theksoi edhe punën dhe bashkëpuninmin që duhet bërë me diasporën, jo për të ndihmuar vetëm financiarisht por për të shkëmbyer përvoja që do të ndihmojnë në zhvillimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Forumi Ballkanik është një nga nismëtarët e krijimit të rrjetit “LogEx”.
Komuniteti LogEx u themelua në dhjetor të vitit 2021. Është një partneritet mes universiteteve dhe akademikëve, organizatave të shoqërisë civile dhe aktorëve të biznesit nga Ballkani Perëndimor dhe diaspora në rajon. LogEx është një konsorcium i organizatave të ndryshme me një ide të përbashkët si ekonomia qarkulluese mes vendeve anëtare, siguria, zhvillimi i strategjive për të vazhduar fokusin në këto tema, me qëllim promovimin dhe përfshirjen e subjekteve të ndryshme të shoqërisë, si sektori i biznesit, autoritetet lokale dhe ato qendrore me qëllim përmirësimin e legjislacionit si dhe masat që duhen mbështetur. Qëllimi parësor i kësaj nisme është se si të tërhiqet vëmendja e të rinjve në mënyrë që ata të ndërgjegjësohen më shumë për potencialin, zhvillimin personal dhe sigurisht punësimin përmes ekonomisë qarkulluese.
kamera dhe montazh: Arian Mehmeti