Një lajm i mirë për mërgatën tonë: Komuna e Gostivarit hap “Qendër për diaspore”
Me qëllim të vendosjes së komunikimit me diasporën tonë, Komuna e Gostivarit sot ka lidhur marrëveshje me Ministrinë e Diaporës për hapjen e një zyre për bashkëpunim me diasporën e quajtur “Qendra për diasporë”.
Parashihet që kjo zyrë të ketë rol ndërmjetësues dhe të shërbejë si qendër ku diasporës sonë do t’i jepet qasje në informatat e nevojshme dhe udhëzime shtesë bazuar në të drejtat e tyre për procedurat e duhura pranë institucioneve kompetente.
Kompetencat e zyrës janë këto:
-Të informojë diasporën për të gjitha të drejtat dhe detyrimet e tyre gjatë qëndrimit në shtetin amë;
-Të kontribuojë në krijimin e një baze të të dhënave për të gjitha shoqatat aktive në diasporë, duke vënë theksin në diasporën ekonomike dhe shkencore;
-Të iniciojë bashkëpunimin e organizatave vendore me organizatat në diasporë për projekte të përbashkëta;
-Të shpërndajë shpalljen e konkursit të kabinetit të Ministrit të angazhuar për diasporë për mbështetje financiare të shoqatave nga diaspora vendore;
-Të ndihmojë në krijimin e bazës së të dhënave për diasporën e biznesit, si parakusht për zhvillimin e bashkëpunimit me komunitetin e biznesit në RMV, përkatësisht thithjen e investitimeve të huaja;
-Të informojë diasporën gjatë qëndrimit në shtetin amë për mundësitë që i ofron Qeveria në mbështetjen financiare shtesë për investime të huaja dhe vendase dhe t’i orientojë investitorët potencialë në sistemin me një ndalesë “OneStopShop”;
-Të informojë dhe ndihmojë në njohjen e mundësive për realizimin e projekteve me partneritet publiko-privat me diasporën për investime lokale dhe rajonale;
-Të inkurajojë “turizmi i diasporës” përmes aktiviteteve promovuese në turizëm;
-Të informojë, gjegjësisht, të promovojë mësimin e gjuhës amtare për fëmijët në diasporë, si parakusht për ruajtjen e identitetit kulturor e gjuhësor;
-Të mbajë evidencë për numrin e studentëve të diplomuar nga diaspora lokale.
Vlenë të theksohet se Komuna e Gostivarit, gjatë pesë viteve të kaluara, ka hapur vazhdimisht zyër për bashkëatdhearët gjatë periudhës verore dhe dimërore kur ata ndodhen me në vendlindje, në shtëpitë e tyre.
Vazhdojmë të kujdesemi për pjesën më të çmuar të qytetit tonë, mërgimtarët!