Në Pallatin e Kongreseve nisi të mërkurën, më 16 nëntor, Panairi i Librit, ngjarja më e shumëpritur kulturore e vitit, e njohur për interesin e madh që ngjall te lexuesit dhe te thjesht vizitorët.
Pjesëmarrës në panairin e 2022-shit në Tiranë janë rreth 100 botues nga trevat shqipfolëse, ofrues botimesh në zhanre të ndryshme letrare.
Tepër denjësisht paraqiten dhe Botimet ALSAR, me një hapësirë më vete dhe me mbi 90 tituj librash. Mes tyre janë libra të dalë së fundi nga shtypi, por dhe të tjerë, botime më të hershme.
I gjerë është diapazoni tematikor i librave në stendën e botimeve të ALSAR-it, ku kërkuesi i titujve të veçantë do të gjejë patjetër diçka për të parë dhe për të marrë.
Panairi i Librit në kryeqytet do të qëndrojë i hapur deri të dielën, më 20 nëntor.