112 ish të punësuarit në ndërmarrjen “Higjiena Komunale” në Shkup, protestuan kundër drejtoreshës Kosana Mazneva, e cila në fillim të muajit ua ndërpreu kontratat e punës. Ata në protestën e sotme thanë se largimi i tyre është bërë në baza etnike, fetare dhe partiake. Ish-ndihmës drejtori, Milaim Aliu, thotë se nga puna janë larguar punonjës që kanë përvojë pune më shumë se pesë vjet. Ai madje akuzon drejtoreshën se i ka larguar për të bërë punësime tjera partiake. Aliu thotë se prej më 31 shtator janë bërë 41 punësime të reja.
“Në mesin e të përjashtuarve mbi 90% janë shqiptarë. Në mesin e të përjashtuarve e keni gruan e vetme me mbulesë në Higjienën Komunale. Është përjashtuar kolegu ynë jurist bashkë me bashkëshorten e tij. Bashkëshortes së tij i është ndërprerë kontrata pas 5 viteve punë në ndërmarrjen publike “Higjiena Komunale – Shkup”. Është përjashtuar edhe kolegu ynë i cili me rrogën e tij, krahas familjes së vetë, mban edhe fëmijët e vëllait të tij, i cili vdiq para tre muajsh në moshën 35 vjeçare. Është përjashtuar njeriut i cili 8 vite punon larës i kamionëve nën qiell të hapur verë e dimër.”- tha Milaim Aliu, ish i punësuar.