Kur u pyet nëse do të vazhdojnë të mbeten “grup i zjarrit”, dje nënkryetari i porsazgjedhur i BDI-së, Izet Mexhiti, nuk foli por u përgjigj vetëm me të qeshur.
Sot u përpoqëm të marrim një qëndrim prej tij nëse do të vazhdojnë me kërkesën për largimin e Artan Grubit nga posti i zëvendëskryeministrit të parë, por nuk morëm asnjë përgjigje.
E pyetëm edhe zëvendëskryeministrin e parë Grubi, por as nuk iu përgjigj pyetjes nëse është i gatshëm që vetë të japë dorëheqje vetëm e vetëm që të mos thellohet kriza në parti. Sipas burimeve kjo ka gjasa të ndodhë në rast se Ali Ahmeti nuk arrin të gjejë kompromis me “grupin e zjarrit”.
“Askush nuk është ndërruar nga posti, por është zgjedhur kryesi e re. Madje mendoj se Artan Grubi është avancuar në këtë Kryesi Qendrore sepse është anëtar i Kryesisë”, tha Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.
Burime të TV21 brenda integristëve tregojnë se kryetari Ali Ahmeti në fillim ishte i prerë për mosplotësim të kërkesave të të pakënaqurve dhe që post në kryesi të merrte vetëm Izet Mexhiti, por kjo gjë nuk është pranuar nga Mexhiti, gjë që me sa duket, pas debatesh e argumentimesh, e ka bërë Ahmetin të bëjë hap prapa, e në organin më të lartë të propozojë edhe Blerim Bexhetin e Saranda Imerin, që njihet si figurë e afërt me Nevzat Bejtën, po ashtu një prej integristëve të revoltuar. Ky ndikim i tij po lexohet edhe si “rikthim” i Nevzat Bejtës, i cili me sa duket arriti të largojë dy propozime nga dega e Gostivarit për poste të larta, Arta Bilalli-Zendelin dhe Valdet Xhaferin.
I pyetur nëse me këtë përbërje të kryesisë së re, kërkesat e “grupit të zjarrit” do të artikulohen më mirë në parti, Musa Xhaferi me përgjigje:
“Unë mendoj se ne, një grup brenda partisë, funksionarë partiak, e kemi ngritur zërin duke parë se BDI ka defekte të mëdha në organizimin e brendshëm dhe ishte domosdoshmëri që të konstituohen organe dhe të merren vendime në mënyrë kolektive, të kërkohet llogari dhe unë besoj se edhe ata që ishin kundërshtarë të këtij grupi të ashtuquajtur “i zjarrit” do të pajtohen se respektimi i rregullave në parti është në të mirën e partisë”, tha Musa Xhaferi, anëtar i Këshillit Mbikëqyrës në BDI.
Ne opinion zhvillimet e djeshme shihen si fitore e “grupit të zjarrit” brenda BDI-së.
“E para dhe e pakontestueshme, kur do të shihet rezultati përfundimtar i organeve, zgjidhjes dhe gjithë procesit, është riinkarnimi politik i Musa Xhaferit duke u kthyer në pozicion ku do të jetë vendimmarrës. Procesi i dytë ishte që “grupi i zjarrit”, i të pakënaqurve që funksionon brenda partisë, ose që funksiononin nga jashtë dhe iniciuan gjithë këtë, janë pozicionuar në pozita mjaft të mira dhe kjo lë hapësirë për t’u pritur që në të ardhmen do të ketë edhe më tej debate që do të jenë të ashpra dhe unë pres që do të prodhojnë ndryshime brenda për brenda edhe funksioneve publike por edhe brenda BDI-së”, tha Sefer Selimi, analist politik.
Burime brenda BDI-së po ashtu tregojnë edhe për një hatërmbetje të Ali Ahmetit me grupin e zjarrit, kjo për shkak se kreu i integristëve ka shfaqur shqetësime në lidhje me letrën e të pakënaqurve, sepse letra fillimisht iu nis mediave e jo vetë atij. Periudhën në vazhdim mbetet të shihet nëse brenda selisë blu do të ketë apo jo përkrahje për “grupin e zjarrit”.