Gazetari Artan Hoxha ka publikuar mbrëmjen e sotme një video se si disa persona të njohur skeduar nga Policia dhe Prokuroria Shqiptare, po negociojnë për një gjobë prej 500 mijë Euro, në zonën e Shijakut.
Bëhet fjalë për Arben Mërkurin i njohur dhe me pseudonimin “Maneci”, i cili u vra në Maj 2022, dhe për Astrit Avdylin, i dalë në përgjimet e dosjes 339 për blerje votash në zgjedhje. Këta persona, shpjegoi Hoxha, në video bisedojnë me nënën e një personi të cilit i kishin vënë gjobë 500 mijë euro.
“Kjo është një ngjarje që ka ndodhur më 31 Maj të vitit 2018. Ky mjeti është i blinduar. Këtu në fund është një fuoristradë tjetër ku janë 4 persona të armatosur. Këta ndodhen në një bazë në rrethinat e Shijakut apo Sukthit në atë zonë dhe ky këtu është Maneci apo Arben Mërkuri që u ekzekutua në 18 Maj për të cilin vëllezërit Beqiraj kanë folur dhe ata thonë si ka ndodhur vrasja e këtij.
Ky është i njohur tek dosje 339, ky është Astrit Avdyli, njëri nga vëllezërit Avdylaj. Kjo është para se të bëheshin arrestimet e 339. Këtu pas kësaj derës është një grua e vjetër.
Ajo ka një djalë dhe djalit të saj i është vënë një gjobë 500 mijë Euro. Ai ka paguar 240 mijë Euro dhe nuk e ka blerë dot lirinë e vetë. Gjoba nuk i është vënë nga këta persona. Ata kanë hyrë ndërmjetës, kanë ardhur tek nëna e tij sepse ai vetë ka ikur ka ndjerë rrezikun se mund të vritet”, u shpreh gazetari në emisionin “Opinion”.