Ministria e Mbrojtjes, si edhe më parë, kryen detyrat e saj me profesionalizëm dhe përgjegjësi dhe raporton në mënyrë transparente për të gjitha zhvillimet. Për rastin e vjedhjes në departamentin e mbrojtjes, e cila ndodhet përkohësisht në ambientet e një ndërmarrje publike, është hapur hetim nga njësitë organizative kompetente në Ministrinë e Mbrojtjes, të cilat në bashkëpunim me MPB-në duhet ta përfundojnë këtë procedurë.
Ky është reagimi i Ministrisë së Mbrojtjes në lidhje me deklaratën e Dragan Kovaçkit nga VMRO – DPMNE për dokumente të vjedhura të klasifikuara dhe për kompjuterë të vjedhur që përmbanin dokumente të besueshme.
Ministria e Mbrojtjes bën me dije se nuk bëhet fjalë për dokumente që mund të dëmtojnë interesat jetike të shtetit, pasi, theksohet në reagim, nuk ka dokumente të tilla në kompjuterët e reparteve rajonale të mbrojtjes.
“Lidhur me akuzat e partisë politike të përfaqësuar nga ish-anëtari i Armatës dhe tani deputet Kovaçki, ju njoftojmë se do të ketë përgjegjësi penale si për autorët ashtu edhe për organizatorin dhe nxitësin e këtij krimi. Për shkallën e klasifikimit të dokumenteve askush nuk mund të flasë para përfundimit të hetimit”, sqarohet në reagimin e MM-së.
Ministria e Mbrojtjes i bën thirrje deputetit Kovaçki që, siç thuhet në reagim, të përmbahet nga përhapja e dezinformatave dhe të lexojë rregulloret ligjore të cilat në periudhën e kaluar kanë treguar se nuk janë në anën e tij.