Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi, e dy prokurorët e dy rasteve që dyshohet që është abuzuar një 11-vjeçare, të hënën nuk kanë dalë para mediave, ani pse institucioni që përfaqësojnë kishte thirrur konferencë për media.
I shoqëruar nga një person tjetër, ai tha që do të qëndrojë, nuk do të largohet, pa e specifikuar se për çka e ka fjalën, edhe pse KOHA nuk i bëri asnjë pyetje.
Krejt barrën e trajtimit të dy rasteve kur dyshohet që një 11-vjeçare është abuzuar seksualisht, para gazetarëve e mori mbi vete zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj.
Ajo është pyetur se ku është kryeprokurori dhe pse nuk është në konferencë.
Nuk ka dhënë përgjigje konkrete.
“Sa i përket pyetjes së parë, kjo konferencë është e Prokurorisë Themelore në Prishtinë”, tha Ulaj.
Ulaj duke shpjeguar kronologjinë e rastit ka venë në pah që Prokurorisë Themelore në Prishtinë, që nga dita e denoncimit i janë dashur 17 ditë kohë për intervistimin e viktimës.
“Më datën 27 qershor është bërë kërkesë për tërheqjen e kamerave të moteleve, ku supozohet se ka mundur të shkojë viktima. Më datën 7 korrik prokurori i rastit e ka dëgjuar të dëmtuarën në prezentë të punëtores sociale dhe në prezencë të psikologes. E dëmtuara është dërguar në strehimore dhe aty ka qëndruar rreth 1 muaj. Ndërsa, me datë 21 korrik të këtij viti me kërkesë të familjes, viktima është liruar nga strehimorja. Dhe të njëjtët kanë deklaruar se do të marrin përgjegjësi mbi vajzën e tyre”, tha Ulaj.
Ajo është sfiduar me pyetje se pse i janë dashur kaq shumë kohë prokurorit që ta intervistojë viktimën, përgjegjësinë në mënyrë indirekte e ka adresuar tek psikologu.
“Meqenëse është dashur të sigurojmë prezencën e psikologes, ka marrë kohë derisa është siguruar psikologia dhe derisa është intervistuar e dëmtuara në prezencë të psikologes. Prokurori i Shtetit nuk ka pasur mundësi ta intervistojë të dëmtuarën pa prezencën e psikologes”, tha Ulaj.
Ky institucion nuk ka dhënë sqarime se çfarë ka bërë Prokuroria Themelore në Prishtinë, nga 7 korriku kur është intervistuar viktima deri në momentin që rasti nuk ka dalë në media.
Nuk ka pranuar as t’i publikojë emrat e prokurorëve të rasteve. KOHA ka mësuar që në rastin e parë të denoncuar në qershor prokuror është Ruhan Salihu, e në rastin tjetër prokurorja Sebahate Hoxha.
Më shumë informata se Prokuroria e Prishtinës ka dhënë pasditen e së hënës ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla
“Indikacionet e para apo informatat janë se kjo e mitur është dhunuar për më shumë se një vit. Unë kërkesën kryeshefit të Inspektoratit Policor të Kosovës ia kam bërë drejtpërdrejt në mënyrë që të gjithë të përfshirit në këtë rast të thirren në cilësinë e dëshmitarit, në mënyrë që institucionet e Kosovës dhe publiku të informohen drejt mbi atë se çfarë ka ndodhur, se çfarë institucionet kanë ndërmarrë dhe po ndërmarrin dhe po ashtu sa më shpejt të jetë e mundur të dalin me të gjeturat e këtij rasti jashtëzakonisht të rënd”, tha Sveçla.
Sveçla ka thënë që në këtë rast informatat momentale tregojnë dështim të njëpasnjëshëm të të gjithë mekanizmave.