Ardit MEHMETAJ
“Kthimi i Filip Llatinoviqit” është romani i parë i shkrimtarit të mirënjohur kroat, Miroslav Kërlezhës. Ky roman është roman për artistin ose i njohur si Künstlerroman, i cili dallon në disa tipare nga Bildungsromani. Tipari kryesor është se tek Künstlerroman protagonisti refuzon jetën e përditshme, kurse tek Bildungsroman protagonisti pranon të jetë qytetar i zakonshëm si të tjerët. Ky tipar i heroit përveç tek romani “Kthimi i Filip Llatinoviqit”, del të jetë i pranishëm edhe në letërsinë shqipe, konkretisht në periudhën e letërsisë moderne, ku kemi heronj si Doda tek tregimi “Gjaku” i Ernest Koliqit, Nushi tek tregimi “Studenti në shtëpi” ose edhe Gjon Zaveri tek romani “Nga jeta në jetë. Pse?!” i Sterjo Spasses. Të gjithë këto personazhe njësoj si Filip Llatinoviqi refuzojnë jetën e përditshme në shoqërinë ku jetojnë dhe këtë e manifestojnë në forma të ndryshme, dikush me dëshpërim e dikush me përpjekje për ndryshim.
Tek romani “Kthimi i Filip Llatinoviqit” pjesë të madhe zënë mendimet e Filipit mbi artin, përkatësisht pikturën, mbi jetën, mbi shoqërinë e mbi vetë njeriun dhe ekzistencën e tij, kurse tema bosht e romanit është kthimi i protagonistit në vendlindje, i cili është kthim i motivuar. Së pari jeta larg atdheut zgjon ndjenja shqetësuese tjetërsimi e izolimi tek protagonisti, ndërsa më vonë nga mendimet dhe fjalët e Filipit del në pah edhe zhgënjimi që ai e kishte me kulturën dhe qytetërimin evropian, kurse motiv kryesor i kthimit të tij në atdhe është zbardhja e misterit të origjinës së tij pasi ai e dinte kë e ka nënë, por nuk e dinte kë e ka baba. Si një djalë ta themi kushtimisht i paligjshëm, i lindur nga një prostitutë që nuk i kishte treguar asnjëherë të vërtetën e atësisë, ai detyrohet të kthehet dhe ta kërkojë përkatësinë dhe identitetin e tij që s’e kishte kurrë. Pjesa e parë e romanit i kushtohet krejtësisht këtij kthimi dhe realizohet nga teknika e retrospeksionit. Kemi kthim në kohë, që nga fëmijëria e Filipit, deri tek momenti kur ai i vodhi disa para nënës dhe e kalojë natën me prostituta, ku për këtë shkak nëna e tij e largoi nga shtëpia dhe ai më nuk u kthye aty për 23 vjet. Përveç pjesës së parë ku mbizotëron monologu i brendshëm, në pjesën e dytë kemi më shumë personazhe e më shumë gjallëri në rrëfim, ndërsa krejt në fund ngjarja bëhet dinamike, ku bën vetëvrasje Kyriales, nëna i tregon të vërtetën e atësisë, kurse Boboçkën e vret Balloçanski.
Kthimi i Filip Llatinoviqit veç këtyre arsyeve, ka edhe anën estetike si motiv kthimi pasi ai është i ngopur me topikat urbane perëndimore që për të janë vetëm imazhe joestetike të betonizuara. Filipi e imagjinon atdheun e tij si një idil, një oaz piktoreske paqeje ku jeta zhvillohet qetë e në harmoni me natyrën. Por, kjo për të mbetet vetëm një dëshirë pasi realiteti është i kundërt më ëndrrën e tij për vendlindjen.
Kronotopi në roman është i përcaktuar. Koha e zhvillimit të ngjarjes është ndërmjet viteve 1920 deri në vitin 1930, me përjashtim të kujtimeve të Filipit dhe kthimit në kohë nga narratori ku trajtojnë ngjarje të shkëputura të jetës së Filipit edhe para kësaj kohe, pra në fëmijërinë e tij të hershme. Ndërsa vendi ku zhvillohet ngjarja është në Kostanjevec, afër Zagrebit të Kroacisë.
1. Ndikimi ekzistencialist
Ekzistencializmi është një rrymë filozofiko-letrare, ku ka shumë shkrimtarë e filozofë që e manifestojnë këtë rrymë në veprat e tyre. Në letërsi për frymën ekzistencialiste në veprat e tij padyshim që njihet Fjodor Dostojevski, i cili faktikisht ishte shumë ortodoks për të qenë ekzistencialist. Ai është nismëtar i ekzistencializmit në letërsi, kurse në filozofi Soren Kierkegaard e Friedrich Nietzsche. Kërlezha i njihte këta autorë dhe i kishte të lexuar, andaj edhe ndikimi mund të jetë ekzistent, sidomos nga Fjodor Dostojevski ku vepra e tij me autorin rus asocon në shumë aspekte. Romani “Kthimi i Filip Llatinoviqit” u botua para romanit “I huaji” të Kamysë dhe para romaneve ekzistencialise të Sartrit, megjithatë ngjashmëria me veprën “I huaji” është ekzistente pasi që të dy protagonistët e dy romaneve, Filipi dhe Merso, bartin ankthin ekzistencial mbi supet e veta, kanë ndjenja çorientimi e konfuzioni përballë botës së pakuptimtë në këndvështrimin e tyre prej ekzistencialisti. Dallimi i vetëm është se Filip Llatinoviqi mundohet t’i japë vetë botës kuptim, qoftë edhe përmes artit e veçanërisht pikturës, kurse Merso nuk e bën as përpjekjen më të vogël. Ndërsa në këtë pikë “Kthimi i Filip Llatinoviqit” ka ngjashmëri me romanin “I humburi” të Fatos Kongolit, njësoj si për Filipin, ashtu edhe për Thesar Lumin, bota që i rrethon është e çuditshme deri në absurditet dhe të dy përveç që gëzojnë raporte jo të mira me familjet e tyre, mundohen që kohën ta kalojnë me gra vetëm për të thyer monotoninë mes njerëzve që jetojnë pa ndonjë qëllim.
Analogjia tipike e Kërlezhës me Dostojevskin qëndron tek stili i të shkruarit, sidomos në përshkrime psikologjike të protagonistit, por gjithashtu edhe në përshkrime të ngjarjeve dhe hapësirave. Mjafton ky përshkrim i vendit ku jeton Filipi “Filipi banonte në nji shtëpi pesëkatëshe, ku çdo gjaje i vinte era yndyrë pate, llampa me gaz e gjurma fëmijsh, ndërsa lifti dukej i pikllueshëm, si nji karrocë qelqi e vorrimit sekundar: arka e lyeme me llak të zi dhe me jastekë nga kadifja e errët e përdorun”, ky përshkrim i vendbanimit që e bën Kërlezha menjëherë asocion në përshkrimin që Dostojevski i bën vendbanimit të Raskolnikovit. Të dy përshkruajnë imtësisht në detaje dhe ngjallin ndjenjën e një hapësire të errët depresive që nëse jo shkak, është ndër shkaqet që personazhi i tyre është në atë gjendje të rëndë emocionale.
2. “Kthimi i Filip Llatinoviqit” në raport me romanin “Nga jeta në jetë. Pse?!” të Sterjo Spasses
Personazhi i Kërlezhës, Filip Llatinoviqi dhe personazhi i Spasses, Gjon Zaveri, kanë një përafri mes vete në pikëpamjen që kanë për jetën. Që të dy jetojnë mbi bazën e disa koncepteve filozofike, që të dy bartin akthin ekzistencial mbi vete kado që shkojnë, për të dy ekzistenca e gjithçkaje është absurde. Të gjitha këto bëjnë që të dy personazhet të shihen si njerëz të heshtur nga vështrimi i jashtëm, përderisa kanë aq zhurmë përbrenda vetes së tyre. “Jeta te Filipi filloi me u shkri në pjesët përbase: n’ate filloi të rritet gjithnji ma me shqetsim shkatrrimi i papremë, tretës, analitik i çdo gjaje, rritej në te procesi, që asht shkëputë diku prej qëllimit të vet e tash që prej nji kohe të gjatë sillet gjithnji vetvetiu kah zbërthimi”, pra Filipi është shndërruar në njeri që vetëm rri, vështron e analizon, bën pyetje dhe në fund i dorëzohet paqartësisë, njësoj si Gjon Zaveri i Spasses. Mjaftojnë dy fragmente të shkurtra të dy romaneve për të parë ngjashmërinë e dy personazheve: “sillet nepër kafehane, jeton ndërmjet këtyne dykambëshve që mbajnë çadra dhe gjithmonë, kur flasin, flasin për diçka reale (për bukën ose mishin), lëvizin nofullat e dhambët prej kauçuku, e të gjitha janë të kota e nuk ka kurrfarë arsyeje të naltë për ekzistencë… Njerëzit kalojnë dhe bajnë në zorrët e tyne t’errta krena të zieme pulash, sy të piklluem shpendësh, kofshe lopësh, shalë kuajsh, kurse mbramë ato shtazë ende luhateshin gëzueshëm bishtin e pulat e kokorisnin në vigjilen e mbarimit të tyne nëpër koteca e tash çdo gja ka mbarue në zorrët e njerëzve”, i njëjti pozicioni venerimi e analizimi shfaqet edhe tek Gjon Zaveri “Sa krijesa – të mëdha e të vogla, të dukura e të padukura – ka natyra mbarë, aqë pyetje të vijnë pa dashur në tru. Edhe gjëja më e vogël, më e padalluar të len mbresë: të bën që të pyesish vehten edhe t’i përgjigjesh po vehtes. Një mizë e vogël p.sh, një mizë shumë e vogël po fluturon në hapësirë, por… përse po fluturon?”. Këto pyetje rreth çdo gjëje që i rrethon të dy personazheve i shkaktojnë dhembje të brendshme, andaj që të dy jetën në provincë, pa dilema ekzistenciale, e shohin si zgjidhje. Gjon Zaveri pak para vetëvrasjes pendohet që ka bërë një jetë të atillë dhe sikur të kthehej edhe një herë në jetë thotë se do të zgjedhte të jetonte si të parët e tij: një jetë fshatare – bujqësore, pa pyetje e dilema rreth gjithçkaje. Jeta në fshat del të jetë edhe dëshirë e Filipit për po të njëjtat arsye si të Gjon Zaverit. “Qyteti do të thotë largim i pakusht e jo i shëndoshë nga jeta e natyrshme dhe nga baza themelore natyrale e jetës së drejtpërdrejtë”, fshati dhe natyra si mjet për t’u shkëputur nga monotonia e jetës së përditshme është element tipik romantik që del të jetë i pranishëm në një roman modern si “Kthimi i Filip Llatinoviqit”, fshati dhe natyra në përgjithësi për romantikët janë ilaç i shpirtit për çdo zhgënjim e dëshprim pasi përmes tyre njeriu e kupton dhe admiron pafundësinë e botës dhe këtu e gjenë mënyrën për t’u arratisur nga realiteti zhgënjyes. Ky tipar romantik tek “Kthimi i Filip Llatinoviqit” shpërfaqet disa herë “Me kalue do kohë me pela e maca, me thashë e themet e katundit, me ndie gjuhën e vrazhdë të viçit në shuplakën e vet, me shikue bimët se si rriten, dita ditës ma gjelbër e ma me lang, tue iu përshtatë matematikisht urtë maksimumit të dritës e diellit, të gjitha këto ishin motive qetsuese për neurasteninë e Filipit”.
Një tjetër e përbashkët e dy protagonistëve, Filipit dhe Gjonit, është edhe filozofia e hiçit:
“Bota e Hiçit, prej Hiçit, për Hiçin.
Rrotullohet rreth qëllimit të Hiçit!”
Këto fjalë janë formula filozofike me të cilën jetoi e vdiq Gjon Zaveri. Me këtë formulë merr kuptim e tërë vepra dhe tërë vuajtjet e tij. Ai krijon filozofinë e tij të hiçit, ku krijimi, vetë jeta dhe vdekja nuk kanë ndonjë qëllim të paracaktuar. Edhe pse jo me fjalë, por me mendime e veprime këtë e manifeston edhe Filip Llatinoviqi. Dy personazhe nihiliste, të ndikuar nga Niçe e Shopenhaueri, në këtë hiçbotë sipas tyre, gjejnë prehje, njëri në pikturë e tjetri në shkrim. Është Filipi që e përdorë pikturën si një lloj katarsisi për të, ndërsa Gjoni e përdorë ditarin e tij për t’i shprehur ato që s’mund t’i thotë.
3. Personazhi i Filip Llatinoviqit
Filipi është një njeri me dinjitet të brishtë dhe me një krizë të thellë të brendshme, e cila bëhet edhe krizë e jashtme pasi ai nuk mund të pikturojë më asgjë. Filipi është njeri introvert, i tërhequr nga çdo gjë e emocional, ai dyshon në identitetin e tij, dyshon në aftësitë e tij e kjo më së miri shfaqet tek debati që e ka me Kyriales-in, ai dyshon në çdo gjë. Kur Kërlezha ndërtoi personazhin e Filipit duket se u frymëzua nga psikanaliza e Frojdit. Ajo mund të venerohet nga mungesa e babait e tek përshkrimi i marrëdhënies së Filipit me nënën e tij e pastaj deri tek analiza e ngjarjeve të fëmijërisë. Mungesa e babait dhe misteri i atësisë në njërën anë, kurse marrëdhënia e pa sinqeritet dhe e ftohtë e Filipit me nënën e tij bëjnë që ai të përjetojë pjekuri të parakohshme. Gjithashtu fjalët e të tjerëve në fëmijërinë e hershme për nënën e tij prostitutë ishin traumë që e përcollën atë gjithë jetën dhe vazhdimisht këto shqetësime të brendshme i manifestonte edhe në marrëdhëniet me të tjerët. Është edhe një ngjarje e fëmijërisë së Filipit kur ai sheh një prostitutë të zhveshur, ngjarje kjo e cila i ka krijuar atij traumë të pashlyeshme, “Aty, shëndritë nga tufa e rrezeve të dritës, që bijshin nëpër rrethin e vogël të pllakës së dritares, qëndronte nji grue, barku i së cilës ishte zbuluet, shum i madh e krejt i bardhë si buka e freskët, kur gjindet mbi qeth. Vetëm fakti se ai bark asht shum i madh, i frytë, i butë dhe i ardhun si tharmi nën gisht, se ka kërthizë si buka e papjekun në qeth, ishte e vetmja figurë që i kishte mbetë në mendje fare gjallë e pashlyeshëm” , kjo traumë, vëzhgimi i nënës përmes prizmit të imoralitetit në fëmijëri dhe marrëdhënia e tij e ftohtë me të, bëjnë që Filipi të jetojë një jetë pa një lidhje tipike dashurie dhe prehja e vetme për të është kalimi kohë me prostituta. Personalitetin e tij e përshkruan mjaft mirë edhe narratori që në këtë rast është vetë autori “Si djalë shum i pjekun, i rreckosun, pa drejtpeshim, me komplekse të thella e t’errta të poshtnimit moral në vehte, plot gjak të përdhosun dhe ndjenja ndjekjeje t’errët, shkarraveshë me motivet dashunore për vajza të reja, budallaqe, të vogla e naive”.
Se fb
4. Piktura dhe debati me Kyriales-in
Në pjesën ku zhvillohet debati ose thënë më mirë dueli intelektual mes Filipit dhe Kyrialesit është vend ku autori shpërfaq dijet e tij. Filipi e mban pozicionin e artistit, përkatësisht piktorit dhe si i tillë e mbron artin, në veçanti pikturën. Kurse, Kyrialesi mban rolin e nihilistit superior që i vë në dyshim çdo gjë Filipit. Kyrialesi e ka fuqinë intelektuale që ta mposhtë Filipin në duelin që zhvillojnë, ai shkatërron të gjitha idetë e Filipit për artin, shkërmon fuqitë e tij mendore dhe e bën të ndihet tejet i pavlerë. Kyriales citon filozofë si Platoni e Kanti në debatin që ka me Filipin dhe i shpjegon atij mësimet e tyre. Ai i shpjegon kategoritëe kohës dhe hapësirës së Kantit dhe në fund merret edhe me logjikën. Kjo bën që Filipi të dyshojë tek gjithçka e vetja, madje edhe në formimin e tij. Ai nuk mund t’i shpreh as dijet që i ka aq i padijshëm ndihet përballë Kyrialesit i cili i ligjëron atij cinizëm. Për këtë arsye Kyriales në sytë e Filipit është projeksion i personit në arketipin e djallit.
Gjithashtu në roman, Filipi reprezenton edhe ide, mendime e teza të shumta për pikturën pasi ai vetë në rend të parë është piktor. Në tërë romanin kemi fragmente eseistike mbi artin, përshkrime me motive për piktura reale e fiktive. Filipi e tregon nevojën për artin në jetën njerëzore si dhe pikturën si disiplinë artistike. Këtë njohje të Filipit për artin e paraqet në roman edhe autori “Filipi ka shkrue shum nga këto dhe ka lexue për problemet e teknikës së pikturës”. Filipi është entuziast për pikturën, por dëshprohet me gjendjen në shoqëri e cila ka zero interesim për atë disiplinë arti “ai përgjon bisedimet e rrugëve vite me radhë e ende kurr nuk ka ndëgjue ndokend nga kalimtarët që të flasi për pikturë”.
Kështu, romani “Kthimi i Filip Llatinoviqit” është roman shumëdimensional e ambig siç është edhe vetë njeriu modern që reprezentohet në vepër nga Filipi.
LITERATURA:
KËRLEZHA, Miroslav: KTHIMI I FILIP LLATINOVIQIT, RILINDJA, Prishtinë, 1965
SPASSE, Sterjo: NGA JETA NË JETË. PSE?!, EDLORA, Tiranë, 2013