Produktiviteti më i lartë është baza për krijimin e vlerës më të madhe të shtuar, rritje më të lartë ekonomike, duke siguruar kështu paga më të larta dhe standard më të mirë jetese. Laureati i çmimit Nobel Stiglitz thekson se secili merr pjesën e tij të rezultatit ekonomik sipas asaj se sa kontribuon në atë drejtim.
Teoria ekonomike gjithashtu thotë se rritja e të ardhurave, pa rritje të rezultatit ekonomik, ndikon në zhvlerësimin e parasë – sipas logjikës së tregut “më shumë para – më pak mallra dhe shërbime”.
Sipas Bankës Botërore, në periudhën 1993-1996 dhe 2001-2008 kishte rritje të fuqishme të produktivitetit, ndërsa vijojnë më tej korrigjimet, përkatësisht fluktuacione të vogla në rritje dhe në rënie, sipas ciklit në të cilin gjendej ekonomia.
Sipas këtij indikatori, Republika e Maqedonisë së Veriut në vitin 2020 ka gjeneruar 43.883 dollarë për të punësuar. Ky rezultat është i afërt me vendet e Ballkanit Perëndimor. Respektivisht, për periudhën e njëjtë, Mali i Zi gjeneroi 50.865 dollarë për të punësuar, Bosnja dhe Hercegovina 47.051 dollarë, Serbia 43.874 dollarë dhe Shqipëria 31.883 dollarë për të punësuar. Krahasuar me vendet e tjera në afërsi të vendit tonë, tashmë vërehet diferencë më e madhe, për shembull, Sllovenia në të njëjtin vit gjeneroi 79.612 dollarë për të punësuar, ndërsa Kroacia 67.138 dollarë. Krahasuar me mesataren e Bashkimit Evropian (93.073 dollarë për të punësuar), jemi pothuajse dyfish prapa. Gjermania, si ekonomia më e madhe në BE, gjeneroi 100.765 dollarë për të punësuar në vitin 2020.
Kjo tregon se nëse në periudhë afatgjate synohet përmirësimi i standardeve të jetesës, me ç’rast nevojiten reforma strukturore për ta përmirësuar produktivitetin. Këtu bën pjesë kapitali njerëzor, që është nxitësi i faktorëve të tjerë të produktivitetit.
Sipas të dhënave të Bankës Botërore, indeksi i kapitalit njerëzor në vendin tonë është përmirësuar nga 0.54 në 0.56 në periudhën 2010-2020. Megjithatë, ky nivel është mjaft i ulët, do të thotë se një fëmijë i lindur në Maqedoninë e Veriut, kur të rritet, do të shfrytëzojë vetëm 56% të produktivitetit të tij potencial. Për krahasim, një fëmijë i lindur në ekonomitë e zhvilluara do të arrijë 80% të produktivitetit të tij, ndërsa në BE mesatarja është 0.75 ose 75% e produktivitetit potencial.
Gjithashtu, Banka Botërore thekson se fëmijët në vendin tonë deri në moshën 18 vjeçare ndjekin 11 vite arsim parashkollor, fillor dhe të mesëm. Megjithatë, kur vitet e shkollimit do të përshtaten sipas cilësisë së të mësuarit, kjo është e ekuivalente me vetëm 7.3 vite. Kjo do të thotë se fëmijët tanë humbin 3.7 vite në bankat shkollore, në raport me atë që duhet ta mësojnë dhe që kanë mësuar.
Të gjitha këto tregojnë se nevojitet një strategji me të cilën që në moshën parashkollore do të investohet në arsim dhe përmirësim të aftësive të popullatës dhe më tej me orientimin e duhur do të fokusohen aty ku do të jenë më produktive në tregun e punës. Një aspekt i kësaj janë masat aktive të punësimit, që pozicionojnë më tej shkathtësitë dhe aftësitë në tregun e punës. Aspekt tjetër duhet të jetë arsimi i orientuar, duke përfshirë edhe arsimin e lartë, i cili tek ne është në rënie të vazhdueshme sipas standardeve botërore dhe nuk ofron zbatim të duhur praktik.
Gjithashtu në drejtim të rritjes së produktivitetit është dixhitalizimi dhe aftësitë e TIK-ut. Një studim i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim tregoi se vendet me shkallë më të lartë të dixhitalizimit janë më produktive sepse punojnë në mënyrë më të zgjuar – smart. Në këtë drejtim, nevojitet strategji afatgjate që do të përforconte investimet në dixhitalizim dhe do të kontribuonte në orientimin e sektorit publik dhe privat për shfrytëzimin e benefiteve të tij.