Ish-Presidenti Hashim Thaçi dhe ish-Kryeparlamentari Kadri Veseli; të dy themelues dhe drejtues të Ushtrisë Çlirimtare, kanë pasur sot një paraqitje publike në Hagë, pas plotësimit të aktakuzës për krime lufte. U bë më shumë se një vit prej kur ata janë burgosur e të dy duken më ndryshe në pamje.
Hashim Thaçi është paraqitur sot në Gjykatën Speciale, për t’u deklaruar i pafajshëm rreth akuzave të reja për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gjilan, Budakovë dhe Seminishtë – të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Njësoj edhe bashkëpunëtori i tij, Kadri Veseli.
Një vit e gjysmë në burg ka lënë gjurmë në pamjen e dy ish-liderëve kosovarë. Paraqitja e tyre e sotme është komentuar edhe rreth asaj se si dukeshin.
Paraqitja e parë e ish-Presidentit Thaçi në një seancë të Gjykatës Speciale, në fillimin të nëntorit dhe kjo e sotmja dëshmon ndryshimet që ka pësuar ai në dukje.
Akuzat e reja, të shtuara në aktakuzën që ishte konfirmuar kur ai u mor nën Hagë, ka thënë se nuk i ka kuptuar, pasi nuk ka pasur mundësi t’i lexojë, për shkak se janë shumë të redaktuara.
“Zoti gjyqtar theksova edhe njëherë amendamentet e juaja shtesë janë të redaktuara, jam munduar t’i lexoj, nuk kam arritur, prandaj nuk kam mundur edhe t’í kuptoj dhe deklarohem i pafajshëm”, tha Thaçi.
Edhe ish-kryeparlamentari Veseli ka dalë para Gjykatës Speciale në seancën dëgjimore pas aktakuzës së re, të ndryshuar të cilën Prokuroria e Specializuar e dorëzoi në gjykatë më 29 prill.
Veseli foli i qetë sot para gjykatësit të procedurës paraprake, por duke përcjell vërejtjet e tij për Gjykatën.
Ish-kryeparlamentari duket më ndryshe se paraqitjet e mëparshme që ai i ka pasur.
Veseli është prej të burgosurve që i ka rënë të kthehet në Kosovë, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të prindërve të tij.
Dy prindërit e Veselit kanë vdekur gjatë kohës që ai po qëndronte i burgosur në Hagë.
Bashkë me Thaçin dhe Veselin, të akuzuar janë edhe eprorë të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasiniqi. /Express/
Portali është në pronësi të Almakos, lajmet dhe informacionet tjera nga portali nuk mund të kopjohen, të printohen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi. Për të shfrytëzuar informatat e këtij portali ju lutemi kontaktoni personat përgjegjës, ose shkruani në email-in oficial të portalit.
ALMAKOS MEDIA GROUP Adresa: Miroslav Krleza 14, 1000 Shkup, Maqedoni Veriore Tel/fax: +389 71 322 229 Email:info@almakos.com | almakoss@gmail.com