Ali Maksuti
Për Omer Kaleshin më nxiti të shkruaj vdekja e tij në këtë muaj Ramazani dhe po mendoja një krahasim mes Omer Kaleshit që jetoi ne Francë dhe Ismail Kadaresë po ashtu që jetoi një periudhë të jetës së tij në Francë, apo edhe më nxiti një krahasim i një intelektuali të sakrificës dhe një stoiku nga njëra anë dhe një intelektuali oportunistë dhe epikurist nga ana tjetër.
Gjithashtu, nuk po shkruaj as nga pozicioni i një kritiku letrar as nga pozicioni i kritkut të artit, por nga përjetimi shpirtëror të veprave të të dy autorëve, njëri letrar e tjetri piktor, nga pozicioni i marësit nga të dy. Për Omer Kaleshin nuk kisha dëgjuar deri para disa viteve kur po diskutonim me një mik për temat që kush ishin kontribuesit, sakrifikuesit dhe elitat intelektuale shqipëtarë që jetonin jashtë vendit dhe një ndër to ishte edhe Omer Kaleshi. Kam disa vepra të tij, por , se do lexoja diçka për Omer Kaleshin nga shkrimtari Ismail Kadare nuk më kishte shkuar mendja.
Mora librin “ Arti si mëkat” ku shkrimtari i mirënjohur Ismail Kadare shtjellon temën për veprat e Omer Kaleshit, të cilin e kishte takuar në Paris. Në veprën Arti si mëkat, autori Ismail Kadare, ka një qasje shumë subjektive për veprat e Omer Kaleshit dhe trajtimin që i bën është nënçmues dhe sikur dëshiron edhe në këtë vepër, nëpërmjet artit të Omer Kaleshit, të nxjer pozicionin inferior të shoqërisë shqiptare muslimane. Fragment nga vepra Arti si mëkat “Ka dy fate artistësh.
Një palë lindin dhe rriten në shtëpi ku arti ka hyrë, ndërkaq: biblioteka është plot me libra, pasditeve nëna luan në piano ose emta pikturon, pasdarkeve miqtë flasin për letërsinë, artet dhe spiritizmin. Një palë tjetër nuk njohin asgjësend nga këto.
Në shtëpitë e tyre nuk është dëgjuar kurrë muzikë, s’është folur kurrë për pikturë dhe të vetmit dialogë dramatikë që janë dëgjuar kanë qenë grindjet e prindërve në ditët plot mërzi. Askush nuk mund ta dijë, ndërkaq, se cili mjedis e nxit më fuqishëm prirjen e artistit të vogël: ai që e josh me praninë e tij gjithkund, apo tjetri, që ia shton etjen me mungesën e tij.
Ndërkaq, ka edhe një fat të tretë, disi më të rrallë, por më dramatik. Jo vetëm që fëmija që ëndërron të pikturojë ose të shkruajë nuk ka kurrfarë nxitjeje nga njerëzit e familjes, por, përkundrazi, ka pengesë.
Dhe artisti i ri shkon drejt artit siç shkohet drejt mëkatit.” Dhe shkrimtari në këtë pike, nxjer Omerin në pozicionin që vjen nga një familje që prindërit e tij, sidomos babai i tij që ishte hoxhë, nuk dëshironin që Omeri të bëhej një piktorë pasi ishte mëkat. Kjo qasje subjektive e Ismail Kadaresë, nuk përkon me realitetin e veprave të Omer Kaleshit. Omer Kaleshi vjen nga një familje, babai i të cilit ishte hoxhë, dhe rrjedhimisht familja e tij ishte një familje fetare muslimane. Misticizmi i Omer Kaleshit në veprat e tij tregon thellësinë e tij shpirtërore që është mbjellur tek ai nga fëmijëria e tij po nga ajo familje shqipëtare muslimane, ku edhe vet piktori thotë ” Babai im ishte hoxhë, por kishte një mik shumë të mirë, një Dervish! Dervishi vinte shpesh tek ne. Ne fëmijët gëzoheshim shumë” Ah do të vie Dervish Halimi, dhe ai na binte gështenja të pjekura”.
Ama ai kishte një mjekër të madhe e ne nuk ja shihnim gojën e thoshim “Tash do të shohim si do ti hajë gështenjat”Ama gëzohesha shumë kur vinte Dervishi. Me ka mbetur në kujtim Fytyra e tij. Atë fytyrë pikturoj gjithmonë…!”
Është Omer Kaleshi që shpirtnia e tij e barti identitin e tij në çdo cep të botës ku nëpërmjet artit e shprehu vlerat e po atij identiteti pa asnjë pike inferioriteti, dhe nga ana tjetër kemi intelektual që mbijetojnë nga oportunizmi ndaj pushteteve , tëhuajsohen dhe po këta janë inferiorët e vërtetë.
Ata, si Omer Kaleshi, ka patur historia dhe ende i mban mend , që qëndrimi në identitin e vet , mendimet dhe idetë, vlerat e tyre nuk i këmbyen për mbijetesë politike, për çmime , e për pozicione, por vlerat e tyre shpirtërore, idetë e tyre të thella i mbajtën gjall edhe pas vdekjes, këta janë ata që ne i dijmë të vdekur por janë në mesin tonë dhe nga ana tjetër janë ata intelektual që këmbyen çdo vlerë për pozicione , për pushtet e për çmime, sdo mend se gjatë historisë ka patur shumë të tillë dhe historia nuk i njeh, i ka haruar dhe nuk janë në mesin tonë. Omer Kaleshi është nga ata që do të jetojë në mesin tonë.