Agresioni rus ndaj Ukrainës, përpos ndikimeve dhe pasojave të shumta ekonomike, ka hapur edhe shumë dilema sa i përket sigurisë së Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë. Ambasadorja e Gjermanisë në Shkup, Anke Holstein deklaroi sot se, tani më shumë se kurdoherë procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian duhet të shihet si politikë e sigurisë. Sipas saj, duhet me urgjencë të jepet një shtytje vendimtare dhe të fillojnë negociatat për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Ajo po ashtu tha se, qeveria gjermane është e fokusuar në Ballkanin Perëndimor më shumë se kurrë më parë dhe është herë parë që rajoni është përmendur në programin e koalicionit qeveritar.
ANKE HOLSTEIN, AMBASADORE E GJERMANISË
“Tani ne kemi edhe të dërguar të posaçëm për Ballkanin Perëndimor i cili do të jetë shumë aktiv në rajon dhe po ashtu pak përtej. Ne do ta vazhdojmë Procesin e Berlinit. Por, më e rëndësishmja është se politika e zgjerimit tani më shumë se kurdoherë është politikë e sigurisë. Është urgjente të jepet shtytje vendimtare, në mënyrë që të ecet përpara, të fillojnë negociatat qasëse me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, të jepet eventualisht liberalizimi i vizave për Kosovën, të bëhet më shumë progres me Serbinë dhe Malin e Zi dhe të ofrohet stabilitet për Bosnjën
Ndërkohë, përfaqësuesi i Fondacionit Konrad Adenauer në Maqedoninë e Veriut, Daniel Braun, në fjalimin e tij në hapjen e shkollës rajonale për siguri tha se, askush nuk ka pritur që pothuajse shtatë dekada pas Luftës së Dytë Botërore ne po përballemi me një luftë të re në Evropë që ndryshon tërësisht lojën në shumë aspekte.
DANIEL BRAUN, KONRAD ADENAUER
“Agresioni rus në Ukrainë na demonstron se forcat demokratike në rajon dhe në botë duhet të përafrohen dhe ato të cilët ndajnë vlerat e njëjta duhet të jenë të harmonizuar në atë çështje nënkupton të punojnë më afër në unifikim këtu dhe në rajon”.
Ndërkohë, Katerina Jakimovska nga Qendra për studime evropiane Vilfred Martens, tha se në Ballkanin Perëndimor po lihet hapësirë për ndikime të aktorëve të tretë, gjë që sipas saj, do të vështirësonte edhe më tej rrugën drejt anëtarësimit në BE.
KATERINA JAKIMOVSKA, QENDRA MARTENS
“Ajo që po ndodh kuptohet se ka ndikim në stabilitetin rajonal të Ballkanit Perëndimor, po lihen boshllëqe në këtë rajon, të cilat mund të kuptohen si derë e hapur për aktorë të tjerë të jashtëm për të ushtruar interesat e tyre dhe për të bërë perspektivën evropiane të vendeve tona edhe më të vështirë”.
Shkolla rajonale për siguri me temë “Kërcënimet hibride në kohë të agresionit ushtarak në Evropë – implikime ndaj sigurisë rajonale” organizohet nga Universiteti “Shën Klimenti Ohrit”, fondacioni Konrad Adenauer dhe Qendra për studime evropiane nga Brukseli Vilfred Martens.