Rritja e rrogave do të shkaktonte inflacion shtesë prandaj duhet të balancohet zgjidhja mes kërkesës së sindikatave dhe atë që e mundëson buxheti, deklaroi kryeministri Dimitar Kovaçevski në emisionin “360 shkallë”, në lidhje me paralajmërimet e sindikatave për grevë në arsim për shkak të pagave të ulëta.
“Sepse përgjegjësia nuk është thjesht vetëm në rritjen e pagave. Unë e kam biseduar këtë me përfaqësuesit e Bankës Popullore për shkak se nëse i rrisni pagat aq sa është kërkesa e përgjithshme e sindikatave, kjo mund të shkaktojë presion shtesë inflacioni, ndërsa një presion shtesë inflacioni veç këtij që tashmë kemi do të thotë se edhe paga që do ta marrin punëtorët, pas një kohe të shkurtë e njëjta nuk do të vlejë”, theksoi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Kovaçevski shtoi se me ose pa grevë, në fund sindikalistët do të duhet të ulen me Qeverinë për të biseduar dhe gjetur zgjidhje të kënaqshme për të gjitha palët. Nga ana tjetër, Jakim Nedellkov ditë më parë në emisionin “Click Plus” theksoi se nëse nuk arrijnë marrëveshje me Qeverinë nuk do tërhiqen nga qëndrimi i tyre për grevë të përgjithshme.
Veç arsimit, me kërkesa të njëjta grevë të përgjithshme kanë paralajmëruar edhe policët. Nga Konfederata e Sindikatave të Lira grevën e paralajmëruan ditë më parë me anë të një proteste.