Revizioni i brendshëm i Komunës së Tetovës ka qenë sot në gjimnazin “Kiril Pejçinoviq”.
Kjo vizitë, sipas drejtoreshës Teuta Llalla, vjen pasi ajo nuk po pranon të japë dorëheqjen e kërkuar, nga siç pretendon ajo, bashkëpunëtorë të kryetarit Bilall Kasami.
Llalla pohon se ajo është e fundit që është në ftuar në komunë për të dhënë dorëheqje, pasi që siç shton, edhe drejtorë të tjerë janë ftuar por nuk kanë mundur të përballojnë presionin.
Drejtoresha e gjimnazit na shfaqi edhe mesazhe në telefon, ku sipas saj, Validin Ademi nga komuna, me pëlqim të Sedat Sulejmanit, i ka dërguar se kush duhet të zgjidhet për në këshillin e prindërve që është mbajtur me 10 mars.
“Si je drejtoresha jeni mirë? Ato dy emra që do t’i propozoi profesoresha Hatije të jenë. Biseduam edhe se Sedatin. Të përshëndes”, qëndron në mesazh.
Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, ditë më parë mohoi se ndokush nga komuna të ketë kërcënuar ose bërë presion ndaj drejtoreshës. Rasti është paraqitur edhe në polici, e cila po vazhdon hetimin. Teuta Llalla ka edhe tre vite deri në përfundim të mandatit 4-vjeçar.