Platforma mediatike nga Kosova, Nacionale, ka raportuar se përmes një burimi anonim (që ishte dëshmitar në vend të ngjarjes) është njoftuar se një dron i madh, që dyshohet të jetë ushtarak ose policor, është rrëzuar në oborrin e shtëpisë së një shqiptari në Mitrovicë më saktësisht në lagjen Bair të Mitrovicës së Jugut.
Ky dron nuk kishte asnjë mbishkrim që ishte i pajisur me një kamerë të madhe e të sofistikuar vëzhguese, dhe e cila përdoret për mbikëqyrje.
Burimi u shpreh se ishte njoftuar Policia e Kosovës dhe e cila kishte mbërritur në vendngjarje më pas. Droni kishte pësuar një aksident në ajër, por kishte mbetur funksional edhe pak kohë pasi kishte rënë. Kjo ngjarje kishte ndodhur rreth orësh 14:00.
“Edhe pasi ka rënë në tokë, ai provoi të ngrihet lart,” – na tha ai. Ditë më parë, një dron i ngjashëm si ky që ka rënë në Mitrovicë ishte rrëzuar edhe në Zagreb të Kroacisë. Ai po fluturonte nga zonat e luftës në Ukrainë.
Droni i rrëzuar në Kroaci ishte i prodhimit sovjetik, dhe kishte fluturuar përmes Rumanisë dhe Hungarisë para se të hynte në Kroaci. Shumë pikëpyetje janë ngritur në lidhje me origjinën dhe se kush qëndronte prapa tij.
Droni në fjalë – në bazë të fotografive autentike – del se është zhvilluar nga një kompani ndërkombëtare ne bazën në Izrael. Ai quhej Skylark I dhe tashmë përdoret, zyrtarisht, nga Kroacia, Çekia, Hungaria, Izraeli, Maqedonia, Mjanmari, Holanda, Polonia, Sllovakia dhe Suedia.
Kanadaja dhe Australia megjithëse e kanë përdorur në të kaluarën, tashmë e kanë hequr dronin nga sistemi. Sidoqoftë, ‘në të zezën’ ai mund të operohet edhe nga shtete të tjera. Në një intervistë të bërë me Jerusalem Post, presidenti serb Aleksandër Vuçiq, kishte shkuar për të bërë ‘pazar’ në Izrael pikërisht për pajisje ushtarake. “Nuk do të blejmë pak,” – ishte shprehur Vuçiq për Jerusalem Post në vitin 2016.
Specifikat
Gjatësia e këtij droni është 2 metra e 20 centimetra, po aq sa i tha Nacionales se ishte gjatësia e dronit të rrëzuar në Mitrovicë. Ndërkohë që krahët i shtrihen 2 metra e 40 centimetra.
Ai mund të arrijë shpejtësinë deri në 74 kilometra në orë. Rrezja e veprimit të tyre është prej 5 deri në 10 kilometra dhe mund të qëndrojë vetëm 2 orë pa ndërprerë në operim, gjë që tregon se ai është lansuar nga një vend në afërsi të Mitrovicës./Nacionale