Kryeministri bullgar Kiril Petkov pret përparim të shpejtë në bisedimet me Maqedoninë e Veriut, shkruan Alsat.
Në një intervistë për gazetën greke “Katimerini”, ai përmendi se së pari duhet të garantohen të drejtat e bullgarëve në vend.
“E mbështesim perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Megjithatë, ka disa gjëra që duhet të kapërcehen fillimisht, siç është mbrojtja e të drejtave të bullgarëve në Maqedoninë e Veriut, me garanci të qarta brenda Kushtetutës. Kemi një udhërrëfyes dhe komunikim shumë të mirë me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe shpresojmë për përparim të shpejtë”, tha Kiril Petkov – Kryeministër i Bullgarisë.
Petkov për herë të parë e thekson faktin se të dyja vendet kanë një udhërrëfyes, por nuk specifikon nëse është caktuar tashmë dokument në formën e udhërrëfyesit në nivel teknik midis negociatorëve të dy vendeve apo aludon në planin e takimit të grupeve të punës të sapoformuara.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski, nga ana tjetër, thotë se grupet e punës tashmë po japin rezultate dhe duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, tha se ka njerëz me agjendë politike për përkeqësim të marrëdhënieve me fqinjët.
“Besoj se marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut janë përmirësuar në krahasim me ato që kanë qenë më parë, niveli i komunikimit ndërmjet politikanëve zyrtarë dhe institucioneve është përmirësuar dhe zhvillohet në nivelin e vlerave evropiane, dhe ka grupe gjithmonë të margjinalizuara që duan që këto marrëdhënie t’i përkeqësojnë”, u shpreh Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.
Ministri i Jashtëm Osmani po qëndron për vizitë në Bruksel, ku para eurodeputetëve në Komisionin për Punë të Jashtme tha se komunikimi mes Shkupit dhe Sofjes është intensiv dhe shtoi se po diskutohen çështje të hapura politike, duke kërkuar që negociatat të fillojnë si sa më shpejt të jetë e mundur.
“Mund të ndaj me ju ndjenjën se besoj se jemi shumë pranë një zgjidhjeje për të gjetur zgjidhje të pranueshme reciprokisht. Natyrisht, tani presim mbështetje nga miqtë e të dy vendeve, për të përfunduar marrëveshjen dhe për të festuar së bashku, si në rastin e anëtarësimit në NATO. Kemi nevojë për një zgjidhje dinjitoze me të cilën të dyja vendet do jenë njëlloj të kënaqur ose të pakënaqur”, tha Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme.
Pas dy ditësh në Shkup pritet të qëndrojë ministrja e jashtme e Bullgarisë Teodora Gençovska./ Alsat.mk