Hapësira të errëta, të ftohta të rrethuara me mure të trasha e dyer hermetike. Kështu duken strehimoret në vend të ndërtuara disa metra nën tokë, e të cilat shërbejnë për strehim të popullatës në rast lufte. Klan M sot vizitoi njërën nga këto. Pamja nga jashtë është e zakonshme, të jep përshtypjen e një garazhe nëntokësore. Megjithatë, qëndrimi për disa minuta brenda, të jep përshtypje se je shkëputur nga bota jashtë.
Në territorin e Maqedonisë së Veriut ka 1,761 këtilla. 101 prej tyre janë në pronësi të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.
BEKIM MAKSUTI, DREJTOR I DMSH-së
“Strehimoret janë të dedikuara për strehim të popullatës në raste emergjente, në rast të sulmeve ajrore ose në rast të sulmeve të tjera të cilat mund të ndodhin në një vend të caktuar. Pra, si koncept është i trashëguar nga sistemi i mëparshëm, mirëpo Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim që nga themelimi i saj me një vendim të Qeverisë, një pjesë e strehimoreve janë dhënë në përdorim të saj dhe me të njëjtat vepron, kujdeset dhe ka plane të caktuara në suaza të ligjeve dhe rregulloreve të ndryshme”.
Këshilltari për evakuim përkujdesje dhe strehim në këtë drejtori, Asim Selmani tha se kjo strehimore, është ndër më të mëdhatë në vend dhe se në të ka hapësira të ndryshme strehimi.
ASIM SELMANI, DMSH
“Kjo ka diku rreth 255 m2 dhe diku 130 vende, diku 2 m2 për person. Mirëpo, edhe këto ndahen në më të vogla dhe më të mëdha. Ato më të mëdha, kur bëhet përkujdesja mund të ndahen në grupe që evakuohen enkas dhe grupe që evakuohen familjarisht. Këtu në njërën që është ndër më të mëdhatë, diku 16 m2”.
Ai sqaroi se strehimorja posedon sistem të sigurisë, të ajrosjes të ventilimit, si dhe sistem të alarmimit me sirena.
ASIM SELMANI, DMSH
“Përveç hyrjeve kryesore që i pamë, ka dhe hyrje dhe dalje tjera në rast të vazhdimësisë së bombardimeve, popullata e cila do të evakuohet dhe do të përkujdeset këtu të ketë dalje alternativa tjera në shpëtimin e tyre”.
Deri në vitin 2008 ka pasur apo kanë qenë e detyrueshme që të gjitha ndërtimet e reja të kenë edhe pjesën e strehimit, mirëpo kjo gjë nga viti 2008 është anuluar nga ligjet përkatëse për ndërtim./KlanMacedonia/