Më 13 mars ka përfunduar afati për dorëzimin e kandidaturave për të parin e partisë Aleanca për Shqiptarët, që do të zgjidhet në Kongresin e dytë, i cili do të mbahet më 27 mars. Anëtarët e kësaj partie kanë dorëzuar mbi 1.000 nënshkrime në komisionin për kandidim, të cilët kanë propozuar Ziadin Selën për kryetar të këtij subjekti politik.
Halil Snopçe, deputet i ASH
“Në komisionin për kandidim ka ardhur vetëm një propozim, mbi 1600 anëtarë të Aleancës për Shqiptarët, me nënshkrimet e tyre kanë propozuar Ziadin Selën për kryetarë të Aleancës për Shqiptarët. Gjatë ditës së djeshme ne si komision kemi verifikuar anëtarët e nënshkruar në këtë iniciativë, të cilët janë nga të gjitha degët, nga Shkupi, Kumanova, Tetova, Gostivari, Dibra, Kërçova, Struga, nga komunat rurale dhe kështu me radhë”.
Sipas ASH-së anëtarët që kanë dhënë nënshrimet e tyre janë valid dhe ky propozim do të përcillet në Kongres për votim nga delegatët.
Ziadin Sela është kryetari i vetëm i kësaj partie që nga formimi saj në vitin 2018, ndërsa e ka udhëhequr edhe subjektin paraardhës, Lëvizjen për Reforma në PDSH që nga viti 2014.
Linda Ebibi /SHENJA/