Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar mbetet e reduktuar për pesë prokurorë. Këshilli i prokurorëve publik sot nuk kishte kuorum për emërimin e anëtarëve, shkruan Alsat.
Nuk erdhi prokurori republikan Lubomir Joveski i cili ka të drejtë vote ndërsa nuk u paraqitën as anëtarët e Këshillit, Ixhet Memeti dhe Lupço Ivanovski. Të enjten e ardhshme do të bëhet përpjekje e re për emërimin e pesë prokurorëve. Në ndërkohë, pritet të ketë konkurs për tre anëtarë tjerë.
“Duhet të shpallim konkurs këtë muaj apo kah fillimi i muajit të ardhshëm edhe për tre anëtarë të tjerë të cilëve u mbaron mandati ndërsa nuk kemi përfunduar ende me të mëparshmit. Prandaj, dua sa më shpejtë ta përfundoj emërimin e këtyre pesë prokurorëve, që mos të kemi zvarritje, që mos të kenë probleme në Prokurori”, deklaroi Antonio Jolevski- kryetar i Këshillit të PP.