Kosova u shndërrua në vend paniku pas fillimit të luftës Ukrainë-Rusi. Luhatja e çmimeve është shtylla kryesore që po mban këtë vend në panik, raporton syri.net Kosova.
Kur kemi të bëjmë me ushqimin, kjo është pika e parë ku qytetarët ‘panikaven’ më së shumti për sigurimin e miellit e produkteve të tjera ushqimore. Por siç duket panikut për miell e bukë po i vije fundi.
E.D një qytetar nga komuna e Prishtinës ka thënë për Syri.net Kosova që fare problem nuk është duke e pasur miellin. Qytetari me shumë qetësi rrëfen që është duke blerë miell vetëm për 1 muaj si gjithmonë.
‘Unë nuk jam duke u shqetësuar për miell. Në nuk jemi në luftë dhe mbi të gjitha vazhdimisht mullisët po bëjnë apel për mos bërë panik. Unë po blej si gjithmonë vetëm për 1 muaj’, u shpreh qytetari në një përgjigje për Syri.net Kosova.
Deputeti kosovar alarmon në të ’terur’ për grurin
Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha përmes një postimi ka ngritur një lloj paniku te qytetarët për prodhimin e grurit duke i bërë thirrje Qeverisë së Kosovës të ju ndihmoj fermerëve me subvencione.
Sipas deputetit, sigurimi i grurit është emergjent ndërsa armatimi mund të blihet në çdo kohë.
‘Kërkoj që urgjentisht Qeveria të dal me plan konkret dhe t’i siguroj fermerët që të vazhdojnë me punën e tyre në mënyre që Kosova të siguroj grurin e nevojshëm për vete. Sigurimi i grurit është më emergjent se sa sigurimi i armatimit. Armatimi blihet në çdo kohë, gruri (buka) e ka kohën e vet’, ka shkruar ai.
‘Kosova ka mjaftueshëm miell dhe se kapacitetet prodhuese të mullisëve në vend është për 5.5 milionë banorë’
Kështu ka thënë kryetari i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, Muhamet Ferzi duke shtuar se gjatë vitit të kaluar asnjë kilogram grurë nuk është importuar nga Ukraina apo Rusia, raporton syri.net Kosova.
‘Në Kosovë ka të instaluar mullinj të mjaftueshëm. Kapacitetet prodhuese në vend janë për 5.5 milionë banorë. Mullinjtë janë të kujdesshëm dhe kanë importuar në kohë të duhur sasitë e nevojshme prej jashtë’, tha Ferizi.
‘Importi i grurit në Kosovë ka qenë nga vendet e afërta dhe po potencoj se asnjë kilogram grurë apo miell nuk është importuar nga Ukraina apo Rusia’, ka shtuar ai.
Sipas tij, miell në Kosovë ka edhe për tre muaj të tjerë.
‘Miell ka mjaftueshëm të prodhuar. Ka sasi të konsiderueshme edhe për tre muaj të tjerë. Në kohën e kërkesës së madhe, këto produkte nuk blihen në markete’, ka përfunduar ai.
Po ashtu, Bashkim Zejnullahu nga kjo Shoqatë tha se janë duke përcjell çmimin e bursave për miellinm.
‘Ku të gjitha shtetet po propagandohet për mungesën e miellit, por kjo nuk do të thotë që pas muajit qershor të bëjmë një zgjidhje tjetër’, tha Zejnullahu.
‘Çmimet e tregut, aktualisht janë më të lira se në gjithë rajonin. Jemi duke e përcjellë çmimin e bursave, siç do të lëviz çmimi jashtë ashtu do të lëviz edhe brenda’, ka përfunduar ai.
Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin që bujqve dhe fermerëve të subvencionohet me naftë në vlerë rreth pesë milion euro, raporton syri.net Kosova.
Importi i Kosovës për miellin ndër vite
Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, vitin e kaluar 68,000 hektarë tokë ka qenë e kultivuar me kulturën e grurit. Me këtë sasi, sipas kësaj ministrie, Kosova mund të plotësojë 65 për qind të nevojave të popullatës me ushqim, shkruan syri.net Kosova.
Pjesa tjetër importohet nga shtetet e ndryshme të rajonit dhe Bashkimit Evropian. Vetëm për dy vjet, nga shtete të ndryshme të rajonit dhe Evropës, Kosova ka importuar miell dhe grurë në vlerë prej mbi 63.5 milionë euro. Serbia, Hungaria, Kroacia dhe Austria janë vendet që kanë importuar sasi më të mëdha të grurit dhe miellit vitin e kaluar në Kosovë.
Gjatë vitit 2020 Syri.net Kosova merr vesh se Kosova ka importuar nga Ukraina miell dhe grurë në vlerë prej 28 mijë euro. Ndërkaq, për vitin 2021 nuk ka të dhëna për importe nga Ukraina.
Kujtojmë që Ukraina llogaritet të jetë një prej eksportuesve më të mëdha të miellit në botë.