Pa asnjë aktivitet dhe pa qenë në gjendje të presë vizitorë as në 7 Mars – Ditën e mësonjëtores së parë shqipe, Muzeu i Alfabetit në Manastir hyn në ditën e 40-të pa energji elektrike, ujë… e xhirollogari të bllokuara. Situata e krijuar prej shumë kohësh precipitoi muajt e fundit, duke ngrirë të gjitha të hollat që hyjnë në llogari të muzeut. Bëhet fjalë për fatura të palikuiduara ndaj kompanisë që realizoi rikonstruktimin e Muzeut, e cila pas një pritje prej më shumë se dy vjetësh borxhin e grumbulluar ia kaloi përmbaruesve. Rikonstruktimi i Muzeut nisi në vitin 2018 pas grantit të fituara nga fondet IPA (234 mijë euro). Fillimisht IPA lëshoi 35 për qind të shumës, ndërsa pjesën tjetër e lëshon pasi të kenë përfunduar punimet dhe pas verifikimit të faturave për punimet e kryera sipas projektit. Ministria e Kulturës është dashur që të japë “borxh” të paktën 100 mijë euro, para këto që sërish do t’i ktheheshin nga IPA.
“Që nga viti 2018 e kemi vënë në dijeni Ministrinë e Kulturës, pasi aprovuan projektin për rikonstruktimin e Muzeut duhej që ata të lëshonin rreth 100 mijë euro, që kontraktuesi të përfundonte punimet. Paratë sërish do të jepeshin nga IPA pasi të certifikoheshin shpenzimet për punimet e kryera, pasi Muzeu nuk ka burim të ardhurash të tjera nga t’i marrë. Në këtë rast është Ministria e Kulturës, që duhej të ndante një fond që sërish do t’i kthehej pas përfundimit të punimeve nga IPA, si një shenjë e vullnetit të mirë, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Kompania që u mor me rikonstruktimin priti, ka vite që pret dhe në fund bllokoi xhirollogaritë”, thotë Talija Petreska, bashkëpunëtore e jashtme e Muzeut, koordinuese financiare me IPA. Për drejtorin Zait Aliu, situata është e komplikuar. Ai thotë se kanë shumë kohë që janë në bisedime me Qeverinë, MVL, MK, por pa arritur rezultat.
“Nuk e di sesi është puna. Kërkojmë leje nga Qeveria, që një ministri, e Kulturës, Financave…, s’e di të na japë këtë fond që të shlyejmë borxhin. Sepse nëse vazhdojmë kështu situata do të bëhet edhe më keq. Janë duke na marrë çdo gjë që hyn në llogari. Nuk kemi dritë, ujë, telefona, sigurimi i muzeut, qiraja e katit të parë. Por edhe mjete të tjera për realizimin e projekteve të vitit të kaluar dhe këtij që vjen… Borxhi do të bëhet edhe më i madh, pasi që tani i ka kaluar përmbaruesve”, thotë drejtori Aliu. Granti i akorduar nga fondet IPA shërbeu për të rikthyer në identitet ish shtëpinë ku u mbajt Kongresi i Alfabetit, por edhe për ta shpëtuar atë nga shkatërrimi mbetet investimi i vetëm dhe më serioz për këtë institucion, pas vendosjes së figurave prej silikoni të firmëtarëve të Kongresit. Rikonstruimi i Muzeut u realizua në kuadër të projektit “Muzetë që lidhin kulturat dhe popujt” , Programit për bashkëpunimit ndërkufitar “Greqi- Maqedoni 2014-2020” në suaza të Marrëveshjes për Partneritet, me vlerë prej 780.682 euro. (koha.mk)