Partia opozitare shqiptare ka reaguar pas informacionit se Ljubomir Fërçkovski është emëruar ambasador i Maqedonisë së Veriut në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Nga ASh thonë se dekretimi i tij si ambasador nga ana e presidentit, Stevo Pendarovski është skandal diplomatik për disa arsye – qasjen antishqiptare të Fërçkovskit, dështimi i tij në politikë dhe se i njëjti është person non grata.Reagimin nga ASh e ka mbajtur sekretari i përgjithshëm, Arben Taravari.
Kemi thirrur këtë konferencë për shtyp pas raportimeve të mbrëmshme për dekretimin e Ljubomir Fërçkovskit si ambasador i Maqedonisë së Veriut pranë OKB-së në New York.
Ky dekretim nëpër terr nga ana e Presidentit Pendarovski është një skandal diplomatik i paprecedentë dhe një fyerje për shumicën e qytetarëve, për disa arsye.
E para ka të bëjë me angazhimin politik dhe qasjen thellësisht antishqiptare të Fërçkovskit. Si ideolog i SDSM-së dhe ish ministër i policisë, ai ka zbatuar metoda përgjimi të njëjta me ato të Gruevskit dhe ka qenë skenaristi i masakrës së Bit Pazarit, i Aferës së Armëve dhe i shumë epizodave tjera të shtypjes së shqiptarëve, për të cilat kurrë nuk ëshë përgjigjur.
E dyta, si politikan i dështuar, Fërçkovski është shquar si albonofob dhe fashist ordiner. Gjatë luftës së 2001-shit, ai përhapte teza millosheviçiane dhe gjenocidale duke bërë thirrje për dëbim të shqiptarëve përtej Adriatikut. Viteve të fundit, ai i ka cilësuar publikisht shqiptarët si “pleme”, ndërsa deklaratën e partive politike shqiptare të 2017-ës e kishte cilësuar, po e citoj, më falni për shprehjën, si “platformë muti”.
Dhe e treta, ndoshta më e rënda në rrafshin diplomatik, ka të bëjë me faktin se Fërçkovski është persona non grata, apo i padëshirueshëm në SHBA, pra në vendin për ku është dekretuar, i cili është aleati jonë më i rendësishëm. Pas refuzimit nga administrata Biden të emrit të tij si ambasador i Maqedonisë së Veriut në SHBA, Fërçovski ka shkuar aq larg saqë ka akuzuar ambasadorin dhe ish ndihmës sekretarin shtetëror Filip Riker, se për sedër të tij personale e ka penguar të emërohet si ambasador në Uashington.