Kanë kaluar më shumë se tre muaj që kur gazetari kontrovers Milenko Nedellkovski shpërndau gjuhë të urrejtjes nëpërmjet një status në Facebookun për aksidentin e autobusit të RMV-së në Bullgari, ku humbën jetën 45 persona dhe 7 të tjerë u lënduan, ndërkaq Prokuroria thotë se është duke kryer veprime për konstatimin e fakteve, njofton Portalb.mk.
“Në lëndën për të cilën tregoni interes, pas pranimit të njoftimit nga Ministria e Punëve të Brendshme, prokurori publik kompetent, ka filluar të ndërmarrë veprime për konstatimin e fakteve, gjatë së cilës ka dërguar kërkesë deri te rrjeti social në të cilën është publikuar komenti për sigurimin e të dhënave në lidhje me publikimin. Ndaj kërkesës po veprohet”, thonë për Portalb.mk nga Prokuroria.
Një ditë pas aksidentit tragjik të autobusit në Bullgari, Nedellkovski në rrjetin social Facebook publikoi një status me përmbajtje të gjuhës së urrejtjes.
Gjegjësisht, derisa opinioni ishte i tronditur për ngjarjen tragjike të djegies së autobusit në autostradën bullgare Struma dhe derisa të gjithë pyesnin për shkakun apo shkaqet e aksidentit, Nedellkovski shkruajti “A janë mallkimet shkaku?”, duke lënë të kuptohet që sipas tij aksidenti ka ndodhur si shkak mallkimeve ndaj shqiptarëve.
Po aq skandaloze janë edhe komentet e qytetarëve nën postimin e tij.
“Nuk e di Milenko, por arrijnë kurdoherë. Kështu ka qenë nga kohërat e lashta”, shkruan një qytetar i cili në profilin e Facebookut e ka emrin Mihajllo Naumoski Makedonski, komentin e të cilin e kanë pëlqyer 10 persona.
“Zoti është i madh, mund të vonojë, por nuk harron”, shkruan qytetari me emrin Spirko Blazevski.
“Mban ujë!”, shkruan një qytetar me emrin Vladimir Spirov.
“Hmmm, si Zoti askush!”, shkruan Petko Nedelkovski.
![Disa prej komenteve](https://i2.wp.com/portalb.mk/wp-content/uploads/2021/11/page.jpg?resize=708%2C460&ssl=1)
Këto janë vetëm disa prej komenteve, ndërkaq ka edhe një sërë reagimesh të cilët janë të revoltuar me këtë status.
Statusi në fjalë, bashkë me komentet është ende aktiv.