Nesër Gjykata Apelit do të mbajë seancë të hapur mbi rastin “Alfa”. Pritet që të vendosë mbi ankesën e palës mbrojtëse, e cila pretendon se i dënuari Almir Derplanini nuk është i përfshirë në këtë rast. Vendimi i nesërm i Apelit, hap rrugë që lënda “Alfa” për Agim Islamin dhe tashmë të ndjerin Rexhail Qerimi të mund të rigjykohet. Avokati, Asmir Alispahiq, pret që nesër gjykata e shkallës së dytë të vendosë mbi ankesat e dorëzuara të mbrojtjes.
“Unë pres që nesër lënda të kthehet në rigjykim me udhëzime të qarta në të cilat me të gjykata e shkallës së parë do të veprojë dhe përfundimisht do të sjell vendim ligjor dhe të drejtë e ajo është që të ketë aktvendim lirues”, tha Alispahiq.
Sipas Ligjit për procedurë penale, gjykatësit e Apelit kanë të drejtë që mbi ankesat të vendosin brenda ditës ose ditëve ne vijim, tha Alispahiq, duke sqaruar kështu se nuk ka obligim ligjor që vendimi të sillet pikërisht nesër. Sipas avokatit, ekspertiza e re dëshmon se personat e dënuar janë të pafajshëm dhe se Gjykata Penale duhet të vendosë për kthimin e rastit në rigjykim.