Nuk vonoi shumë që frika se përshkallëzimi i krizës mes Rusisë dhe Ukrainës mund të shkaktojë ndërprerje apo çrregullime të furnizimit, të ndikonte mbi çmimin e naftës dhe gazit.
Luhatjet erdhën menjëherë pasi presidenti rus Vladimir Putin, njohu rajonet separatiste në lindje të Ukrainës, Luhansk dhe Donjeck, si entitete të pavarura. Paskësaj, Putini urdhëroi dhe vendosjen e trupave ruse atje. Disa vende perëndimore kanë kërcënuar me sanksione kundër Rusisë, e cila është eksportuesja e dytë më e madhe e naftës, pas Arabisë Saudite. Rusia është gjithashtu prodhuesja kryesore në botë e gazit natyror.
Në Londër, tregu i aksioneve u hap me rënie 1.4 për qind, megjithëse arriti ta rimerrte veten në orët e mëvonshme. Tregjet aziatike të aksioneve u mbyllën po ashtu më ulët e një situatë e ngjashme pritet dhe në bursat amerikane. Marsin e vitit të kaluar, kuotimi i arit të zi në tregjet ndërkombëtare nisi të binte ndjeshëm për shkak se masat kundër pandemisë, ndikuan dhe mbi kërkesën për karburant.