Një 9-vjeçare ka vdekur në një nga klinikat e QKUK-së, rrethanat e së cilës po hetohen nga Policia e Kosovës.
Policia e Kosovës ka njoftuar se rreth orës 19:00, është pranuar informata për një rast të vdekjes së dyshimtë të ndodhur në një nga klinikat e QKUK–së në Prishtinë.
“Pas marrjes së kësaj informate, policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes ku është konstatuar se; viktima, 9 vjeç, femër, shtetase Kosovare, në rrethana që aktualisht po trajtohen nga ana e policisë ka humbur jetën”, thuhet në njoftim.
Trupi i viktimës është dërguar për obduksion.
“Megjithë dyshimet e ngritura, në koordinim me prokurorin e shtetit, policia me kujdes të shtuar po heton rastin si vdekje të dyshimtë dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore që do ti kontribuonin hetimit të plotë të kësaj ngjarjeje”, thuhet në fund të njoftimit.