Detaje të reja janë zbuluar nga vrasja e gazetarit grek Nikos Katsikas në Kajro të Egjiptit. Sipas mediave greke, Policia ka nisur hetimet lidhur me ngjarjen, duke analizuar fillimisht kufomën e tij që kishte nisur të dekompozohej. Ishin fqinjët e tij ata që lajmëruan të parët efektivët e Policisë për shkak të erës së keqe që vinte nga banesa e gazetarit. Pasi mbërritën në banesë, gjetën Katsikas të vdekur me plagë thike në brinjë.
Pas hetimeve të para dhe mbledhjes së informacioneve nga fqinjët, Policia arrestoi një shpërndarës ushqimesh, i cili gjatë marrjes në pyetje konfirmoi se ishte takuar për herë të parë me gazetarin grek në lokalin ku ai punonte.
55-vjeçari Katsikas ishte vendosur në Kajro në vitin 2016 duke shërbyer si korrespondent i agjencisë së lajmeve (AMNA). Ai ishte zv/president i Qendrës Kulturore Historike Helenike në Kajro. Katsikas kishte themeluar gazetën “Fos” në Kajro dhe ishte kryeredaktor i të përjavshmes “New Fos”. Gjithashtu, ai botonte dhe në ëebsitet“Alexandrinos Tahydromos“ e “Pyramis”. Viktima vlerësohet për kontributin e madh që ka dhënë në forcimin e marrëdhënieve mes Greqisë dhe Egjiptit, promovimin e kulturës helene në këtë vend dhe rritjen e lidhjes shpirtërore të qytetarëve grekë që jetojnë në këtë vend.