Pas dy javësh, parkingu me pagesë është rikthyer në Tetovë. Prej nesër qytetarët duhet të paguajnë parkingun si më herët, nëpërmjet mesazheve të telefonit dhe kartelave. Edhe pse kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami, gjatë prezantimit të programit dhe vendimet që do t’i merr në 100 ditët e para të qeverisjes së tij, ai tha se qytetarët nuk kanë nevojë të paguajnë për këtë shërbim deri në analizën e plotë të funksionimit të deritanishëm të ndërmarrjes së parkingut. Rikthimin e parkingut zonal, ndërmarrja e arsyeton me faktin se nga të hyrat e arkës do të bëhet pagesa e punonjësve në parkingjet e qytetit, si dhe mirëmbajtja e parkingjeve zonale në Tetovë, shkruan Nistori.
Nga ana tjetër, Kasami sot publikoi borxhin e komunës së Tetovës dhe ndërmarrjeve publike, ku ndër to publikoi edhe borxhin e ndërrmarrjes së parkingjeve, i cili arrin mbi 187 mijë euro. Përndryshe, nga kjo ndërmarrje nuk e komentojnë vendimin e dhënë para dy javësh të kryetarit, se parkimi zonal në Tetovë do të jetë pa pagesë.
Aktualisht nuk kemi përgjigje nëse udhëheqësia e komunës së Tetovës ka zgjidhje për kaosin në këtë ndërmarrje dhe nëse fillimi i parkingut me pagesë është në koordinim me Kasamin.