Në hamamin Daut Pasha në Shkup është mbajtur manifestimi i shtatë ndërkombëtar i poezisë turke “Yahya Kemal Beyatlı”, i organizuar nga Lidhja e Organizatave Joqeveritare Turke (MATÜSİTEB) dhe në mbështetje të Ministrisë së Kulturës së Maqedonisë së Veriut, raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë ngjarje të pranishëm ishin edhe kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, kreu i MATÜSİTEB-it, Hüsrev Emin, zv/ministri i Punës dhe Politikës Sociale i Maqedonisë së Veriut, Enver Husein, këshilltari për arsim në ambasadën turke në Shkup, İlker Kösterelioğlu, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut, Salih Murat, politikanë, përfaqësues të organizatave dhe institucioneve turke në vend, poetë, si dhe dashamirës të poezisë.
Para të pranishmëve foli edhe Arsovska, e cila përshëndeti të pranishmit në gjuhën turke dhe theksoi se është me të vërtetë “nder dhe privilegj i madh që është në mesin e miqve dhe njerëzve” që ajo i vlerëson shumë.
“Besoj se do të kemi mundësi të bashkëpunojmë, të punojmë në kultivimin e këtyre marrëdhënieve miqësore që i kemi ndërtuar deri më tani në vitet e kaluara dhe të tregojmë dhe dëshmojmë se mund të bëjmë shumë më tepër, veçanërisht në marrëdhëniet që Maqedonia (e Veriut) i ka së bashku me Republikën e Turqisë dhe të cilat deri më tani kanë dëshmuar se mund të jenë vërtetë një urë përmes së cilës mund të ushqejmë gjithçka në të cilën besojmë së bashku, ndërsa ajo është se ne mund të bashkëpunojmë jo vetëm në aspektin kulturor, por edhe në aspektin ekonomik, si dhe të ushqejmë të gjitha ato vlera të përbashkëta”, deklaroi Arsovska.
Kreu i MATÜSİTEB-it, nga ana e tij, tha se Yahya Kemal Beyatlı ka lindur në Shkup dhe njihet si intelektual dhe letrar i madh në letërsinë turke. Ai theksoi rëndësinë që Yahya Kemal Beyatlı Beyatlı sot kujtohet në vendlindjen e tij.
“Ne kemi bërë përparim të madh në atë që kjo ngjarje të mbetet tradicionale. Ne veçanërisht jemi të lumtur edhe sepse katër organizimet e fundit janë organizuar me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Maqedonisë së Veriut, edhe sepse tashmë është përfshirë në programin vjetor”, tha Emin.
Në kuadër të programit, poetë nga Maqedonia e Veriut, Turqia, Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina lexuan poezi, ndërsa profesorë të ndryshëm mbajtën leksione për Yahya Kemal Beyatlı.