Vaksinimi kundër gripit sezonal pritet të fillojë javën e parë të nëntorit. Qendrat për Shëndet Publik thonë se janë të gatshme por presin leje nga ministria e Shëndetësisë për të filluar zbatimin e këtij procesi. Për dallim nga viti i kaluar kur interesimi i qytetarëve për vaksinim kundër gripit stinor ishte i ulët si pasojë e pandemisë, mjekët thonë se këtë vit presin që të ketë dukshëm numër më të madh të atyre që duan të imunizohen.
Unë mendoj se këtë vit patjetër se do ketë më shumë interesim sepse vazhdimisht na paraqiten dhe pyesin a ka ardhur vaksina kundër gripit, besoj se do ketë shumë interesim. Mendoj se çmimi i vaksinës do jetë i njëjte nuk do ndryshojë, meqenëse ne nuk kemi ende një konfirmim nga ministria e Shëndetësisë presim që të na konfirmojnë çmimin dhe të fillojmë me vaksinim – deklaroi Lulzime Bajrami, Qendra për Shëndet Publik, Shkup.
Ministria e Shëndetësisë thotë se vaksinat pa pagesë për kategoritë e rrezikuara të qytetarëve pritet të arrijnë periudhës që vjen. Ndërkohë vaksinat e tjera komerciale të cilat qytetarët i paguajnë nga xhepi kanë arritur.
MSH firmosi marrëveshje për furnizimin e 40,000 doza të vaksinave kundër gripit. Dërgesa e vaksinave varet nga prodhuesi. Për momentin 40.000 doza janë planifikuar të jenë pa pagesë për kategoritë e rrezikuara të qytetarëve ku bëjnë pjesë të moshuarit mbi 65 vjeç, të sëmurët kronik, gratë shtatzëna dhe fëmijët nga mosha 6 muaj deri në 5 vjeçe – njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë.
Çmimi i vaksinës kundër gripit stinor është 800 denarë. Autoritetet thonë se nuk pritet rritje e re e çmimit. Dy vite më parë vaksina ka kushtuar 600 denarë, ndërsa rritje pësoi vitin e kaluar. Disa vite më herët kjo vaksinë ka kushtuar 400 denarë. Sa i përket pranimit të vaksinës anti Covid dhe asaj kundër gripit sezonal, komisioni për imunizim rekomandon 14 ditë dallim mes njërës vaksinë dhe tjetrës.
Vjollca Aliti