Janë mbyllur në të gjithë territorin e Kosovës në orën 19:00 qendrat e votimit për procesin e zgjedhjeve të rregullta lokale të 17 tetorit, raporton (AA).
Gjithsej 883 qendra të votimit me 2 mijë e 477 vendvotime kanë qenë në dispozicion për qytetarët e Kosovës të hapura nga ora 07:00.
Gjithsej 1 milion e 885 mijë e 448 qytetarë kanë pasur të drejtë vote apo 90 mijë e 586 votues më shumë, në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, që u mbajtën më 14 shkurt të vitit 2021.
Këto zgjedhje për kryetarë të 38 komunave janë të pestat me radhë, ndërsa për anëtarët e Kuvendeve Komunale janë të shtatat me radhë, që nga mbajtja e parë e tyre në periudhën e pasluftës, në vitin 2000.
Në këto zgjedhje për postin e kryetarit të komunës garuan 166 kandidatë, ndërsa rreth 5 mijë e 300 kandidatë garuan për pozitën e anëtarit të Kuvendit Komunal në komunat përkatëse.
Numri i përgjithshëm i subjekteve politike të certifikuara për këto zgjedhje është 89, prej të cilave 32 janë parti politike, 33 iniciativa qytetare, 1 koalicion dhe 23 kandidatë të pavarur.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) sonte pritet që t’i shpallë edhe rezultatet preliminare, pas konferencës rreth përqindjes së daljes së qytetarëve në votime dhe mbarëvajtjes së këtij procesi.