Është rritur për 6% numri i nxënësve që janë regjistruar në shkollat profesionale. Sipas Ministrisë së Arsimit në këtë mënyrë pritet të zbutet problemi me mungesën e kuadrit profesional. Shumë kompani prej vitesh ankohen se nuk mund të gjejnë kuadër të duhur sidomos në drejtimet elektrotenkike dhe ndërtimtari. Ambasadori i Austrisë, vendi i të cilit mbështeti projektin “Shkollat takohen me kompanitë”, tha se arsimi profesional dhe i dyfishtë është një histori suksesi në vendin e tij. Siç theksoi ai, mësimi i dyfishtë që nënkupton angazhimin e nxënësve nëpër kompani teksa vijojnë shkollimin e mesëm, po jep rezultate pozitive në tregun e punës dhe është një nga pikat kyçe për zhvillimin e kompanive. Në këtë projekt u përfshinë 87 shkolla profesionale.

“Ne e shohim këtë si një sfidë dhe duam të kemi drejtime profesionale që do të plotësojnë kërkesat e tregut të punës dhe që do të forcojnë ekonominë. Ne duam ta shohim këtë projekt si një lidhje midis komunitetit të biznesit, shkollave dhe nxënësve përmes koordinatorëve që do të punojnë në të. Austria dhe të tjerët në bashkësinë ndërkombëtare janë këtu për të ndihmuar. Detyra e institucioneve në vend është zbatimi dhe zhvillimi i mëtejshëm në këtë fushë”- deklaroi Georg Vutsas, ambasador i Austrisë.
Melihate Rustemi